Kosova

Serbia nuk jep leje për mbajtjen e Festivalit “Mirdita, dobar dan”: “Po falsifikon historinë serbe”


Logoja e Festivalit "Mirdita, dobar dan"

Serbia nuk ka dhënë leje që të mbahet festivali “Mirdita, dobar dan”, i cili organizohet që nga vitit 2014, në Kosovë dhe në Serbi.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Beogradit, Aleksandër Shapiç, i cili ka thënë se përderisa kryeqyteti serb është nën udhëheqjen e tij, nuk do të jepet asnjë lloj pëlqimi për organizmin e Festivalit “Mirdita, dobar dan”.

Shapiç, siç transmetojnë mediat serbe, ka theksuar se të gjitha hapësirat që do të organizohet festivali në fjalë do të jenë private, dhe assesi publike.

Ai potencoi se është “shprehimisht” kundër mbajtjes së festivalit “Mirdita, dobar dan”, për të cilin propagandoi se prej vitesh “falsifikon dhe ndryshon drejtpërdrejt historinë përmes promovimit e trashëgimisë kulturore të Kosovës, duke përjashtuar faktin që ajo është serbe”.

“Ne si Administratë e Qytetit nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me Qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre. Ftoj gjithashtu Qeverinë e Republikës së Serbisë që të mendojë mirë nëse manifestime të tilla duhet të lejohen në Serbi, sepse ato dëmtojnë drejtpërdrejt rendin tonë kushtetues dhe juridik”, pretendoi ai.

Ndryshe, Festivali “Mirëdita, dobar dan” është një ngjarje e përvitshme që zhvillohet çdo vit që nga viti 2014.

“Mirëdita, dobar dan!” është festivali, siç thuhet në faqen zyrtare të tij, që bashkon artin, kulturën, avokimin dhe debatin publik në një platformë, gjë që e bën atë unik në llojin e tij. Duke bashkuar artistë, aktivistë për të drejtat e njeriut dhe paqe, dhe krijues të opinionit nga Kosova dhe Serbia, festivali pasuron perspektivat rajonale dhe nxit bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes. Përveç prezantimit më të mirë të skenës së artit bashkëkohor, pjesë thelbësore e festivalit janë debatet publike dhe aksionet avokuese.

Qëllimi kryesor i festivalit është të prezantojë skenën kulturore të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, dhe përmes takimit të përfaqësuesve të shoqërisë kulturore të Kosovës dhe Serbisë, të arrihet një shkëmbim i ideve artistike dhe krijimi i një tradite bashkëpunimi. Nëpërmjet shkëmbimit të ideve artistike, debatit dhe diskutimeve rreth çështjeve aktuale sociale dhe politike, festivali kontribuon në aspiratat e përgjithshme për vendosjen e përhershme të paqes dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore