Kosova

Senatori zviceran beson se parimet e Kurtit nuk po kuptohen sa duhet në BE


Carlo Sommaruga dhe Albin Kurti

Senatori zviceran njëherësh kryetari i Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin e Zvicrës, Carlo Sommaruga, nga radhët Partisë Socialdemokrate, beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshtypje të qarta për të ardhmen dhe se synimi i tij është ruajtja e sovranitetit të Kosovës dhe rrjedhimisht integrimi i vendit përmes proceseve demokratike.

“Dhe kjo është ajo çfarë ne e mbështesim dhe ne mendojmë se këto parime të Kurtit nuk po kuptohen mjaftueshëm në qarqet e Bashkimit Evropian, për këto gjëra po flas unë edhe në Zvicër”, ka thënë ai fillimisht në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.

Sommaruga theksoi se ai nuk e kupton BE-në në raport me Kosovën, së paku në një pikë.

“Diçka që nuk e kuptoj në BE është se si integriteti i Ukrainës duhet të mbrohet, e ndërsa influenca e Serbisë në Kosovë nuk trajtohet me të njëjtën qasje. Pra shohim këtu dy qasje të ndryshme politike për të njëjtin problem. Mendoj se nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën, por i tërë Ballkani rrezikon nga ndikimi rus”, ka shtuar ai.

Senatori zviceran ka bërë të ditur se në jo pak raste ka kundërshtuar qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës dhe trajtimin e pabarabartë karshi Serbisë.

“Kosova është në situatë të vështirë në raport me politikën e jashtme, ka presion nga BE-ja, ka presinon nga SHBA-të, por Zvicra është vetëm për dialog të drejtë, Zvicra e ka qëndrimin e qartë në raport me Kosovën”.

Ndërsa foli për kërkesën e BE-së për zgjedhje të reja në Veri, senatori zviceran u shpreh i bindur se kryeministri Kurti do të menaxhojë situatën e shtensionimin dhe se procesi zgjedhor mund të prodhojë zgjidhje vetëm nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk prodhon kaos përsëri në Veri të vendit.

Ndryshe të premten Kurti priti në takim senatorin zviceran Sommaruga në zyrën e tij me të cilin, siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, diskutoi për për situatën politike në vend, zhvillimet e fundit, qeverisjen e deritanishme dhe për rolin e rëndësinë e diasporës shqiptare në Zvicër.

Mediat zvicerane javë më parë bënë të ditur se në shtator Kurti pritet të udhëtojë në Cyrih të Zvicrës për të mbështetur Partinë Socialdemokrate në zgjedhjet federale të Zvicrës që do të organizohen më 22 tetor.

Siç raportoi mediumi zviceran, Blick, Kurti do të mbajë një fjalim në një panel diskutimi të organizuar nga kjo parti.

Partia Socialdemokrate e Zvicrës, siç ka shkruar mediumi, po tenton të përdor kryeministrin Kurti për të kanalizuar kështu votat e diasporës shqiptare në Zvicër.

Ndonëse një vizitë e tillë nuk është ende e konfirmuar, shefi i Qeverisë, në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane Blick, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar se po shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës sidomos në fushata zgjedhore.

“Synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushata zgjedhore në atë mënyrë që ne të dy të fitojmë forcë”, kishte deklaruar Kurti muaj më parë.

Përpos kësaj Kurti tregonte në po këtë intervistë se Cedric Wermuth-in, bashkëpresident i Partisë Socialdemokrate, e ka mik të afërt.

“Cedric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”.

Kurti përfshihet edhe në fushatën zgjedhore në Zvicër, kritikohet nga partia në pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore