Kosova

Senatori amerikan: Kurti ta ndalojë këtë provokim të qëllimshëm menjëherë


Senatori amerikan, Chris Murphy

Senatori amerikan, Chris Murphy, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës dhe Albin Kurtit ndërprerje të aksionit të Policisë në Veri të Kosovës, duke e quajtur provokim të qëllimshëm.

“Si mik i Kosovës, jam i zënë krejtësisht në befasi dhe Kurti duhet ta ndërpresë këtë provokim menjëherë”, shkroi Murphy.

Senatori amerikan ishte me 22 maj në Prishtinë, ku u takua me Kurtin, por ai shkruan se gjatë atij takimi “nuk na ka bërë me dije për një plan të tillë të qasjes në ndërtesat e komunave”.

Murphy tha edhe se për këtë “zhvillim problematik” ka folur në telefon me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Edhe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka reaguar pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Top-diplomati amerikan ka dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës.

Sipas tij masat dhunshme të autoriteteve kosovare duhet të ndërpriten menjëherë.

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Situata në Veri të premten.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në këto dy komuna Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Ndryshe në Komunën e Leposaviqit situata është më ndryshe, pasi në disa pika atje janë ngritur tashmë barrikada nga serbët lokal.

Barrikadat, sipas raportimit të mediave, janë vendosur edhe në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Komunës së Leposaviqit.

Serbët në Kosovë kanë shkarkuar edhe zhavorr në njërën anë të rrugës që të shpie te Komuna e Leposaviqit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore