Kosova

Sekuestrohet substancë narkotike – Arrestohen të dyshuarit


Substanca narkotike e sekuestruar të martën, nga Policia e Kosovës

Të zënë në flagrancë, dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës për posedim të substancancave narkotike, një ditë më parë rreth orës 19:00, në rrugën “Kadri Halimi” në Prishtinë.

Në njoftimin për medie të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se pas marrjes së informatave në rrugë operative si dhe mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, policia ka kryer një kontroll të personave ndaj dy të dyshuarve, duke i kapur në flagrancë, me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana).

Të dyshuarit ranë në duar të policisë pasi që këta të fundit ishin duke realizuar aksione “në kuadër të punës për parandalimin e veprimtarive kriminale që po i sjellin dëme shoqërisë”, shkruhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit A.G, 18 vjeç, dhe K.K, 27 vjeç, janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit u është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale  “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e  paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

“Me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i dyshuari i parë është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkaq i dyshuari i dytë është proceduar më tej”, thuhet në njoftimin e Policisë së kosovës.

Lidhur me këtë rast policia ka kryer edhe një bastisjeje në rrugën “Tom Lantosh” në  Hajvali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore