Sarrazin javën e ardhshme në Kosovë

Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar.
SHFLETO

Manuel Sarrazin

Armat Matoshi
23.09.2024 18:26
Loading Icons...

Emisari Special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, javën e ardhshme do të qëndrojë sërish në Kosovë, në kuadër të Forumit të Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet midis 2 dhe 3 tetorit në Prishtinë.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka njoftuar të hënën se në fokus të diskutimeve do të jenë zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimi i tyre në ekonominë globale e rajonale, dhe marrëdhëniet gjermano-kosovare, ndërsa ky forum do të mbledhë rreth 700 të ftuar nga Kosova dhe Gjermania, duke përfshirë zyrtarë të lartë nga të dyja vendet.

“Përfaqësues të nivelit të lartë nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik, së bashku me përfaqësues ekzekutivë të kompanive të mëdha gjermane, do të jenë pjesë e paneleve që do të diskutojnë zgjidhjet për energjinë, teknologjinë dhe industrinë”, ka njoftuar Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Sarrazin ka qëndruar së fundi në Prishtinë në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit – platformë jo formale e politikës së Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor – i cili mbahet në tetor. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të angazhohet urgjentisht në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal, ose do të ketë pasoja për vendin.

Ndryshe, në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, do të marrin pjesë edhe Oda Ekonomike Gjermane e Maqedonisë së Veriut dhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë e Shqipërisë. Forumi i Parë Ekonomik Gjermano-Kosovar në vitin 2022 ka sjellë investime prej 20 milionë eurosh në sektorin e prodhimit në Kosovë.