Kosova

Sanduloviç nga spitali transferohet në burg, njofton avokati i tij


Nikolla Sanduloviç

Çedomir Stojkoviç, avokat serb, nëpërmjet një postimi në platformën social, X, të premten, ka thënë se ish-kandidati për president të Serbisë, Nikolla Sanduloviç, është dërguar në Burgun Qendror në Serbi nga Qendra Emergjente e spitalit të Beogradit, me urdhër të prokurorit në Nish.

Sipas Stojkoviç, Sanduloviç po transferohet në burg ani pse “jeta e tij është në rrezik”.

Sanduloviç, i cili dikur ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe shef i sigurimit të ish-kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiç, të enjten u raportua se është rrahur brutalisht nga shërbimet sekrete serbe në ndërtesën e Agjencisë së Sigurimit dhe Inteligjencës (BIA).

“Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera. Ai përfundoi në spital në këtë gjendje të keqe, sepse pjesëtarët e sigurimit serb e kishin rrahur dy ditë më parë në ndërtesën e BIA-s për të njëjtën arsye”, ka shkruar ai në plaformën X.

Sanduloviç citohet të ketë thënë se në mesin e personave që kanë ushtruar dhunë, ka arritur ta identifikojë politikanin dhe biznesmenin kontravers serb, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin e armatosur terrorist më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Në bazë informacioneve të fundit nga familja dhe bashkëpunëtorët e afërt, politikani opozitar serb është kthyer në gjendje shumë të keqe nga spitali të enjten pasdite, ku ka qenë duke marrë trajtim mjekësor intensiv. Ai dyshohet se është paralizuar, megjithëse ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore