Kosova

Rutte një “kopje” e Stoltenbergut –  do ta mbështesë Ukrainën, do t’i kushtojë vëmendje Ballkanit Perëndimor


Mark Rutte

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, do të jetë zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Rutte pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 tetor. Për Franz Lothar Altman, ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, politika e Rutte-s në NATO do të jetë një kopje e asaj të Stoltenbergut.

Rutte, beson Altamn, gjatë udhëheqjes së Aleancës Veri-Atlantike, do të “mbështesë fuqishëm Ukrainën” duke monitoruar gjithashtu nga afër “përpjekjet e Rusisë për të dobësuar lidhjet që BE-ja dhe NATO-ja kanë në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe Republikën Srpska”.

“Diku në mendjen e tij do të ketë kujtime të këqija nga mosreagimi skandaloz i kontingjentit holandez në Srebrenicë, kështu që ka mundësi që ai t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit dhe të përpiqet për një angazhim më të madh të NATO-s në këtë rajon”, thotë Altmann, në një intervistë për mediumin European Western Ballkans.

Megjithatë ai beson se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë zgjerim të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, meqë sipas tij, holandezët ashtu sikur francezët “nuk janë përkrahës të zgjerimit të BE-së apo NATO-s”.

Në anën tjetër, Vuk Vuksanoviç, hulumtues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thekson se qasja e NATO-s në Ballkanin Perëndimor nën udhëheqjen e Rutte-s nuk do të ndryshojë.

Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s zgjidhen me konsensus nga të 32 vendet anëtare.

Ruttes iu hap rruga pasi vende si Hungaria, Sllovakia dhe Rumania – përkundër hezitimeve fillestare – dhanë dritën jeshile.

Për pozitën u përfolën edhe emra të tjerë, si ai i presidentit rumun, Klaus Iohannis, apo i kryeministres estoneze, Kaja Kallas.

Rutte pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 tetor, nga shefi i deritashëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rutte, 57 vjeç, është aleat i Ukrainës dhe kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të saj në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore