Lajme

Rusia merr Presidencën e Këshillit të Sigurimit…ironikisht


Me hyrjen e muajit të prillit, i takon – ironikisht për shkak edhe të datës, e cila nuk është aspak një shaka pa kripë – Federatës ruse, të marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Një strukturë kjo, ku prej një viti e tre muajsh ushtron funksionin si anëtare e përkohshme edhe Shqipëria, në mandatin e saj dyvjeçar.

Mirëpo, periudha është krejtësisht e paprecedente, duke marrë parasysh situatën e krijuar me luftën në Ukrainë dhe faktin se përgjegjëse kryesore dhe e vetme për këtë, është pikërisht Moska.

Pyetje të shumta janë shtruar në mendjen e gjithkujt në rangjet diplomatike.

Çfarë agjende do të ndiqet në muajin e ardhshëm? Si do ta menaxhojnë rusët Presidencën e radhës? Ku do të përqendrohen më shumë në retorikën e tyre dhe ku do të shtyjnë më shumë?

Frika ekziston në radhët e diplomatëve madje, se organi edhe mundet thuajse ta shterojë përkohësisht funksionin për një muaj, derisa t’i lihet vend vendit të radhës, për të marrë drejtimin e mbledhjeve.

Nuk është shaka as kjo e fundit, pasi një fushatë reale ka nisur për këtë gjë.

Ka qenë bashkëthemeluesja e “Atlas”, Colombe Cahen-Salvador, ajo e cila e ka shtruar pyetjen.

Salvador theksoi se “Atlas” (një lëvizje globale politike) filloi fushatën “OKB Bojkoto Rusinë”, duke nxitur që të paktën shtatë nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të bojkotojnë trupin gjatë muajit prill, duke bllokuar kështu Rusinë që të miratojë ndonjë gjë.

Bojkotoni Këshillin e Sigurimit të OKB-së të udhëhequr nga Rusia

Anëtarët e përhershëm të organit gjithmonë mund të vënë veton për çështjet thelbësore, por ky nuk është rasti për ato procedurale, të cilat kërkojnë vetëm “një votë pozitive prej nëntë anëtarëve” sipas rregullave të përkohshme të procedurës dhe zhvillimeve procedurale përkatëse.

Duke pasur parasysh mbështetjen e tyre të mëparshme për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, vendet që kanë më shumë gjasa të mbështesin këto përpjekje përfshijnë tre anëtarët e përhershëm Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, si dhe pesë anëtarët me rotacion – Shqipëria, Ekuador, Japonia, Maltës dhe Zvicrës, mendon ajo.

“Dhe për 30 ditë – kohëzgjatja e presidencës së radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB – bota do të turpërohet kolektivisht pasi lejon Rusinë imperialiste të Putinit të marrë këtë rol udhëheqës”.

Këshilli i Sigurimit sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara ka përgjegjësinë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Megjithatë, trupi ka rënë viktimë e bllokimit për një kohë të gjatë tani, dhe të metat e tij nuk kanë qenë kurrë më të dukshme.

Siç tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy: Ku është siguria që Këshilli i Sigurimit duhet të garantojë? Nuk ka siguri.

Pra, Rusia duhet të pengohet.

Dhe të mos paraqiten shtatë nga këto tetë vende në asnjë nga seancat do të nënkuptonte se presidenca e Rusisë do të bëhej krejtësisht e pakuptimtë.

Imazhet mund të mishërojnë frymën e një epoke, të sfidës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore