Sport

Rusët dhe Bjellorusët do të jenë në Lojërat Olimpike 2024


Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka miratuar praninë e atletëve nga Rusia dhe Bjellorusia për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike, Paris 2024, në verën e ardhshme.

Ishte një vendim i cili ishte pezull prej shumë kohësh, por tashmë me afrimin e Lojërave, IOC mori vendimin për praninë e rusëve dhe bjellorusëve, por në kushte të veçanta.

Atletët nga Rusia dhe Bjellorusia do të marrin pjesë në Paris 2024 si neutralë, pa simbolet dhe himnet e shteteve përkatëse. Gjithashtu do të pranohen ata atletë të cilët nuk janë pjesë e ushtrisë dhe nuk mbështesin luftën në Ukrainë.

Atletët nga Rusia dhe Bjellorusia u përjashtuan nga shumë sporte të ndryshme për shkak të luftës në Ukrainë. Që nga ajo kohë, disa sporte i kanë rikthyer ata, por në kushtë të veçanta, si ato të IOC-së të përmendua më sipër.

“Pjesëmarrja e tyre (rusëve dhe bjellorusëve) në sportin ndërkombëtar ishte një ‘dilemë e madhe’ që ishte politizuar nga qeveritë individuale që ndërhynin për t’i bllokuar ata”, tha Thomas Bach, kreu i IOC-së, pak ditë më parë.

“Kjo çështje e pjesëmarrjes së sportistëve është shumë e ndryshme nga ajo e sanksioneve”, vijoi ai.

Bach shtoi se “Sanksionet kundër shtetit dhe qeverisë ruse dhe bjelloruse në asnjë mënyrë nuk u vunë në dyshim nga askush”.

Bach shprehu gjithashtu solidaritetin për atletët ukrainas, duke thënë se IOC dëshironte ta shihte Ukrainën të përfaqësuar plotësisht në Lojërat Verore të Parisit 2024 dhe Lojërat Dimërore 2026 në Cortina d’Ampezzo, Milano.

Thomas Bach

Disa kohë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin kishte akuzuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për “diskriminim etnik” ndaj atletëve nga vendi i tij dhe përdorimin e Lojërave Olimpike si “mjet presioni politik”.

“Lojërat në vetvete mund të përdoren si një mjet presioni politik kundër njerëzve që nuk kanë të bëjnë fare me politikën, si diskriminim i vrazhdë dhe në fakt racist, etnik”, tha Putin në një raport të “TASS”.

“Falë disa drejtuesve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, mësuam se ftesa për lojëra nuk është një e drejtë e pakushtëzuar e sportistëve më të mirë, por një lloj ‘privilegji’ dhe mund të fitohet jo nga rezultatet sportive, por nga një lloj gjestesh politike që nuk kanë të bëjnë fare me sportin, nuk kanë të bëjnë fare me të dhe që vetë Lojërat mund të përdoren si një mjet presioni politik kundër njerëzve që nuk kanë lidhje me politikën”, shtoi ai.

Në shkurt të këtij viti, teksa IOC po përgatitej të lejonte rusët dhe bjellorusët në Lojëra, Ukraina kërcënoi se nuk do të merrte pjesë.

Lejimi i mundshëm shkaktoi një reagim të madh te udhëheqësit ukrainas, duke përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky dhe ministrin e sportit Vadim Guttsait. Ky i fundit tha se vendi mund të bojkotonte Parisin nëse IOC vazhdon me planet e tyre.

Letonia, e cila kufizohet me Rusinë, tha gjithashtu asokohe se mund t’i bashkohen Ukrainës në bojkotimin e Lojërave Olimpike.

Ndërkohë, në janar, Zelenskyy i telefonoi homologut të tij francez Emmanuel Macron duke i kërkuar atij që të ndalojë të gjithë rusët nga Lojërat Olimpike të verës së ardhshme në Paris.

Megjithatë, kjo çështje vetëm sa ka filluar. Në vijim priten reagime të shuma, si nga palët e përfshira ashtu edhe nga aleatët e tyre.

Kujtojmë se pavarësisht pranimit nga IOC, Rusia dhe Bjellorusia janë ende të pezulluara nga UEFA dhe FIFA në të gjitha nivelet e futbollit nga moshat te të rriturit, në kategoritë femra dhe meshkuj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore