Kosova

Rrustemi kërkon nga deputet t’i thonë “jo ndarjes së Kosovës në baza etnike”


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga deputet që të qëndrojnë të bashkuara kur është fjala për Serbinë.

Kërkesë e Rrustemit ishte që deputetët t’i thonë “Jo Zajdenicës” dhe “Jo Vuçiç-it”.

“A bën një herë faktorët politikë të ish pushtetit të thonë më zë të lartë çka duan për Kosovën e jo çka don Vuçiç”, deklaroi Rrustemi.

Sqarim nga deputet kërkoi edhe për qëndrimin e tyre ndaj Zajdenicës.

“A bën me na tregu ju a jeni për Zajdenicën. A duam të jemi unik e bashkë për Kosovën pavarësisht gjithçkaje që na duhet dhe na kërkohet sa herë jeni ligështuar para këtyre rrethanave çdo herë i keni dhuruar Kosovës një dëm, provojeni për herë të parë, le të qëndrojmë bashkë”.

Ndër vite, sipas tij Kosovën e kanë përcjellur kërkesat e presidentit të Serbisë.

“Para tre vjet e tani nuk bënte pa kërkesat e Vuçiç-it  edhe tash nuk bën pa kërkesat e Vuçiç-it  edhe në vitin 2013 nuk bënte pa kërkesat e Vuçiçit kur u nënshkrua marrëveshja për parime edhe në 2015 nuk bënte pa kërkesat e tij”.

“Jo Zajdenicës, jo Vuçiç-it brenda Kosovës dhe jo stërndarjes së Kosovës në baza etnike”.

Më 1 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur sërish për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka përsëritur se “Asociacioni njëetnik në Kosovë me Kushtetutë shumetnike nuk është i mundshëm”.

Ambasada amerikane në Prishtinë, të martën e 31 janarit ka organizuar një diskutim të mbyllur për Asociacionin.

Ky takim i organizuar në Ambasadë ka ardhur në një kohë kur është intensifikuar kërkesa amerikane për themelimin e Asociacionit si parakusht për vazhdimin e negocimit dhe potencialisht arritjen e një marrëveshje bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Artikulimi i fundi i kësaj kërkese u shpreh përmes një letre të hapur të dy top-diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore