Kosova

Rritet paga minimale në 350 euro


Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të rritet në 350 euro bruto, kështu duke e llogaritur një orë të punës me orar të rregullt 2 euro.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar se niveli prej 2 euro për një orë pune përcakton pagën bruto prej 350 euro.

“Përveç se hiqet diskriminimi që ka qenë më herët në kuadër të grup moshave, një tjetër ndryshim është edhe përcaktimi i pagës minimale në nivel të orës së punës”.

“Zakonisht ankesa ka qenë që kur të caktohet një shumë bruto për tërë muajin është e vështirë të zbatohet puna me orar të pjesshëm. Kësisoj ashtu siç e parasheh edhe ligji i punës, ne sot po e vendosim nivelin prej 2 euro për orë të rregullt pune, e që kur përkthehet për një vend pune me orar të plotë është ekuivalent me 350 euro në muaj”, ka sqaruar Murati.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se vendimi do të prek më shumë se 150 mijë persona.

Rritja e pagës minimale, hyn në fuqi nga 1 tetori sipas vendimit të ekzekutivit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagën minimale, do të ndryshojë edhe shkalla tatimore, varësisht nga paga.

ATK-ja ka thënë se me ndryshimin e shkallëve tatimore, nuk do të ketë tatim në pagë deri në shumën 250 euro, nga 80 euro sa ishte deri më tani.

Për pagat prej 251 euro deri në 450 euro, tatimi në pagë do të jetë 8 për qind, ndërsa për pagat mbi 450 euro do të jetë 10 për qind.

Ligji për pagën minimale është publikuar në Gazetën Zyrtare më 23 gusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore