Sport

Rrahmani: Nëse humbin ndaj Rumanisë, do të jemi jashtë garës


Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se në rast se Kosova mposhtet nga Rumania, atëherë 99 për qind do të jenë jashtë garës për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian.

Fituesi i Scudetto-s me Napolin e tha këtë në konferencën për media që ishte i pranishëm së bashku me trajnerin, Alain Giresse.

“E dimë që kjo është ndeshje direkte dhe duhet t’i bëjmë pyetje vetes çfarë duam nga këto kualifikuese. Është ndeshje që e vendos fatin pasi në rast se nuk fitojmë ndaj Rumanisë, ata do të kenë një avantazh të madh të pikëve ndaj nesh që jemi konkurrentë direkt”, tha Rrahmani.

“Besoj dhe shpresoj që stadiumi ka me qenë plot dhe do ta kemi mbështetjen e tifozëve”, tha Rrahmani.

“Kjo ndeshje vendos gjithçka dhe në rast që humbim këtë ndeshje, atëherë jemi 99 për qind jemi jashtë garës”.

Ai tha se nuk e kanë frikë këtë përballje, por ekipi duhet të paraqitet mirë.

“Kemi luajtur edhe ndaj lojtarëve më të fortë, prandaj s’kemi frikë. Ne duhet të jemi ata që jemi dhe të luajmë lojën tonë”.

“Kemi parë ndaj Izraelit që kemi mundur të fitojmë por shkaku i disa gabimeve. E kujtojmë atë rastin në minutat shtesë që mund të fitonim. Ndërsa edhe ndaj Andorrës mund të shënonim fitore. Ata kishin vetëm një shans dhe ne kemi pasur nevojë vetëm që të reagonim më mirë”, tha mes tjerash Amir Rrahmani.

Kujtojmë që Kosova do të ndeshet të premten në “Fadil Vokrri” me Rumaninë, pastaj tre ditë më vonë do të përballet me Bjellorusinë në Budapest.

Kosova aktualisht qëndron në vendin e dytë në tabelë me dy pikë, ndërsa në vendin e parë dhe të dytë janë Zvicra dhe Rumania me nga gjashtë pikë (pikë të plota në dy ndeshjet e para).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore