Sport

Rrahmani në konferencën për media para ndeshjes me Eintracht Frankfurtin: Duhet të jemi të kujdesshëm


Napoli do të ballafaqohet me Eintracht Frankfurtin në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8-ve të finales në Ligën e Kampionëve.

Gjatë ditës së marte, në konferencën për media ishte i pranishëm edhe kosovari i Napolit, Amir Rrahmani.

Ekipi i Rrahmanit e fitoi ndeshjen e parë në Gjermani me rezultat 2:0, por pavarësisht kësaj, kapiteni i Kosovës tha se duhet pasur kujdes nga gjermanët.

“Ndaj Eintracht është një ndeshje shumë e rëndësishme, por edhe rrezikshme. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm”, tha fillimisht Rrahmani.

“E kemi parë që në Bundesliga, Frankfurti ia ka dalë që në shumë raste të përmbysë ndeshjet ndaj janë të mësuar me këtë. Mendoj se janë një skuadër shumë e fortë”, shtoi kosovari.

Rrahmani iu bë një pyetje nga gazetarët “nëse ai kuptohet me mesfushorët dhe sulmuesit”.

“Varet nga mënyra se si trajneri i përgatit ndeshjet, mundohemi të kapim pikat e dobëta të kundërshtarëve. Spalletti gjithnjë na jep një ide si të mbrojmë dhe më pas të sulmojmë hapësirat. E njohim shpejtësinë e Osimhen dhe kërkojmë shpesh që ta shërbejmë”, theksoi Rrahmani.

Ai më pas u pyet edhe për paraqitjet personale të tij, derisa tha se është i “uritur” të bëjë edhe më shumë.

“Deri më tani kam shënuar shtatë gola, por mund të bëja edhe më shumë. Vitin e kaluar falë skemave të përgatitura me stafin ia dola të shënoja katër gola dhe kur skemat dalin është më e lehtë të realizosh. Ky goli i fundit ishte pak më i veçantë sepse ishte edhe i vështirë”, shtoi kapiteni i Kosovës.

Së fundmi ai foli edhe për objektivat e ekipit të tij në këtë sezon.

“Ndjehet një përgjegjësi, edhe pse kjo është përgjatë gjithë sezonit. Në kampionat kemi gjithashtu një mundësi për të hyrë në histori, në Ligën e Kampionëve e dimë që është diçka speciale për ne lojtarët dhe klubin. Shpresojmë ta mbyllim mirë”, tha mes tjerash Amir Rrahmani.

Pra, Napoli është shumë afër fitimit të titullit kampion në Itali pas 30 vjetësh, pasi që kryesojnë tabelën me 18 pikë diferencë nga vendi i dytë.

Gjithashtu edhe në Ligën e Kampionëve janë afër për t’u kualifikuar në çerekfinale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore