Përballje

Rrahmani hero i Napoli-t, Roma fiton me lehtësi përballë Empoli-t


Napoli ka arritur fitoren e shtatë në shtatë ndeshje, kurse Roma ka mposhtur me lehtësi Empoli-n.

Napoli e ka rikthyer rezultatin nga 1-0 në 1-2 përballë Fiorentina-s, deri sa Roma fitoi 2-0.

Martinez Quarta i dha epërsinë Fiorentina-s në minutën e 28-të.

11 minuta më vonë, Insigne humbi penalltinë, por topin e rikthyer e shndërroi në gol Hirving Lozano.

Një hero i papritur në këtë ndeshje doli të jetë mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Në minutën e 50-të, Rrahmani shfrytëzoi një asistim të Zielinksi-t për të shënuar golin që i solli Napoli-t fitore.

Nga shtatë ndeshjet e para, ata gëzojnë rekord 100%, me po aq fitore, duke udhëhequr të vetëm Serie A-në.

Roma në anën tjetër u mjaftua me nga një gol në secilën pjesë përballë Empoli-t.

Lorenzo Pellegrini shënoi golin e parë, në minutat e fundit të pjesës së parë.

Kurse, sapo filloi e dyta, Mkhitaryan shënoi për 2-0.

Deri në fund, skuadra e Mourinho-s menaxhoi mirë rezultatin, për një fitore shumë të rëndësishme.

Roma ngjitet në vendin e katër me 15 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore