Kosova

Rohde takon gazetarët: Roli i medias si shtylla e katërt e pushtetit është i pamohueshëm


Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është takuar me përfaqësues të mediave në Kosovë, derisa ka theksuar se në demokraci roli i mediave është i padiskutueshëm.

“Patëm një diskutim produktiv me përfaqësues të mediave nga Kosova. Në demokraci, roli i medias si shtylla e katërt e pushtetit është i pamohueshëm. Kontributet e tyre janë të domosdoshme për nxitjen e debatit publik dhe ofrimin e perspektivave kritike. Mirënjohës për njohuritë e fituara”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Gjatë muajit mars të këtij viti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kishte publikuar raportin vjetor, “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” për vitin 2022, ku ishin prezantuar gjetjet të cilat tregojnë se ka rritje të numrit të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë.

Gjetjet e këtij raporti janë prezantuar nga Eksperti Ligjor i raportit, Yll Zekaj, si dhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.

“Sipas gjetjeve të këtij raporti, gjendja e sigurisë së gazetarëve vazhdon të jetë e rëndë, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje nga 29 në vitin 2021, ka shkuar në 33 në vitin 2022, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga AGK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore