Lajme

Rigjykimi ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj për vrasjen e Agonis Tetajt nis më 22 maj


Njëra ndër seancat ndaj Shaban Gogaj.

Gjykata e Pejës e ka caktuar 22 majin si datë kur pritet të fillojë procesi gjyqësor në rigjykim ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, pas vendimit të fundit të Apelit më 28 mars që rasti i vrasjes së Agonis Tetajt të kthehet në pikën zero.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Berat Tmava.

“Po, si datë për nisjen e rigjykimit ndaj Shaban Gogajt është caktuar 22 maji”, ka thënë Tmava për AP.

Më 28 mars, departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt i cili nga Gjykata Themelore e Pejës ishte dënuar me vetëm 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.

Dokumenti i dërguar nga avokati Berat Tmava për Albanian Post.

Një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

“Anulohet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Sh.G. dhe I.C., ndërsa çështja kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar dhe çështja është i kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Apeli në këtë rast konsideron se Themelorja nuk i vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.

Më 14 tetor, Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Ky vendim ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore