Lajme

Refuzimi i Mickoksi-t për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese: Për këtë arsye e zgjodhi “VLEN”-in dhe jo “Frontin Evropian”


Hristjan Mickoski dhe Arben Taravari

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, ashtu siç kishte premtuar në fushatë zgjedhore, nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese – çelësi i integrimit evropian të Shkupit – por, zhgënjimi më i madh, sipas njohësve të çështjeve politike në RMV, është se si “VLEN”, e lejoi këtë.

Sipas tyre, duke lexuar aktualitetin politik që po prodhohet aktualisht nga Shkupi zyrtar, kjo është edhe arsyeja se pse lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së zgjodhi për partnerë qeverisës “VLEN”-in si humbës të zgjedhjeve në taborin shqiptar, dhe jo “Frontin Evropian”.

Pas votimit të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut më 23 qershor, kryeministri Mickoski, duke folur për ndryshimet kushtetuese, si përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës – kërkesë eksplicite e Sofjes zyrtare – tha se përgjatë mandatit të tij në krye të ekzekutivi maqedonas s’do të lejojë miratimin e këtyre ndryshimeve.

“Ky diktat bullgar, nën këto kushte, nuk do të kalojë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për aq sa do të jem unë kryeministër”, tha Mickoski.

Udhëheqësit e VLEN-it, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Bekim Qoku, përkundër deklaratave të Mickoski-t, nuk kanë reaguar fare, ndonëse gjatë fushatës zgjedhore kishin premtuar se kusht për t’u bërë pjesë e qeverisë e kanë miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Për politologun shqiptar nga RMV-ja, Valon Bela, ka qenë e pritshme se Mickoski do të veprojë në këtë mënyrë, “sepse kishte një fushatë të egër rreth ‘diktatit bullgar’ siç preferon ta quaj ai”.

Por, ajo që është zhgënjyese në prizmin e Belës është që “VLEN” – të cilët nuk kanë reaguar fare – nuk arrin ta pengojë këtë diskurs, i cili tani po kthehet në veprim.

Lexo edhe këtë: “Pakurrizorët e VLEN-it” po ia mundësojnë Mickoski-t realizimin e agjendës anti-shqiptare

“Dhe jo rastësisht VMRO zgjodhi ‘VLEN’-in (që humbi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nga Fronti Evropian) sepse Mickoski e dinte se me ‘Frontin Evropian’ do duhej të ndryshonte e që i bie të vazhdon rrugën e integrimeve”, thotë Bela në një prononcim për Albanian Post.

Valon Bela

Ndërsa, për Ruzhdi Matoshin, ish-deputet shqiptar në Parlamentin e RMV-së nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), qëndrimet e kryeministrit të ri maqedonas rreth çështjeve që janë nyja për integrimin evropian të këtij vendi, e vendosin Shkupin para dy rrugëve – të dyja të dëmshme.

“Atë të bllokimit drejt integrimit në BE dhe e dyta është ajo e përtharjes ekonomike, emigrimi i fuqisë punëtore në vendet perëndimore, rrjedhimisht dobësimin e ekonomisë së RMV-së”, thekson Matoshi për AP.

Këtij narrativi, që e largon vendin nga rruga e BE-së, sipas tij, i gëzohet Rusia dhe Kina, “të cilat presin me dashamirësi çdo politikë e cila është kundër BE-së”.

Në këtë linjë është edhe politologu Bela.

“Rruga e vetme e Mickoski-t mund të jetë integrimi në vendet që përkrahin [Vladimir] Putin-in, sepse paralajmërimi i tij se do huazon 1 miliard euro për zhvillim ekonomik mundet me qenë nga Federata Ruse, por të kaluara nëpërmjet xhirollogarive të [Viktor] Orban-it në Hungari”, pohon ai.

Me diskursin kundër ndryshimeve kushtetuese dhe jo vetëm, Mickoski arriti që në zgjedhjet parlamentare të 8 majit të fitojë 58 deputetë, nga 120 sa i ka gjithsejtë parlamenti i RMV-së.

Por, Matoshi kërkon që me patjetër të merren parasysh edhe interesat e shqipatrëve në RMV, të cilët përbëjnë 30 për qind të popullsisë totale.

“Prej tyre mbi 90 për qind janë pro perëndimor dhe kundër Rusisë dhe Kinës”, pohon ai, derisa paralajmëron se nëse vendi orientohet drejt interesave ruso-kineze, RMV-ja “mund të shkojë drejt de-stabilizmit”.

“Mickoski nuk mund të aplikojë politika bllokuese dhe të thotë që jam me perëndimin, e në anën tjetër të gëzojë me politikën e tij Kinën dhe Rusinë”.

Ruzhdi Matoshi

Ndërkaq, Bela, ndër të tjera, përmend edhe një agrumet tjetër se pse Mickoski po i kundërshton kaq shumë ndryshimet kushtetuese.

“Frika e Mickoski-t konsiston edhe në atë se me futjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së maqedonasit do bien nën 50 për qind të popullsisë në vend marrë parasysh se në regjistrimin e fundit ata dolën 50 për qind”, potencon.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar të dielën në mbrëmje qeverinë e re pas zgjedhjeve të 8 majit 2024.

Qeveria që drejtohet nga Mickoksi është pozicionuar kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore