Kosova

Reagon MPJ-ja për incidentin e Osmanit: Kemi kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e RMV-së në Prishtinë


MPJ

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka reaguar pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.

Përmes një komunikate për media nga MPJ-ja kanë thënë se me shqetësim kanë mësuar rreth incidentit të shkaktuar në Aeroportin e Shkupit në raport me trajtimin “jodinjitoz” të presidentes Osmani.

MPJ ka njoftuar se përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Në reagim theksohet se MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe “për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”.

Ndryshe, Bekim Kupina, Këshilltar për Media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në aeroportin e Shkupit, presidentes, sigurimi i aeroportit ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por ai ka treguar se Osmani ka refuzuar, teksa ka hasur në rezistencë nga pala maqedonase.

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, thuhet në reagim.

Ai ka theksuar se përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, “sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”.

“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse”.

Kupina ka shtuar se është vërejtur qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe për të shkaktuar incident, derisa Osmani e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar.

“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim”, thuhet në reagim.

Më pas, ai ka potencuar se kabineti i presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët e kanë informuar se një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar.

“Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë ndonjëherë një gjë të tillë”.

Mediat në Maqedoni: Incident me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit, refuzoi ta hap valixhen – u nxorën edhe armët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore