Komuniteti Mysliman del kundër Urdhrit Bektashi për një Shtet Sovran

Për KMSH, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm; e pa konsultuar me komunitetet fetare
SHFLETO
Sadiola Xhelili
23.09.2024 19:24
Loading Icons...

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

Kështu ka reaguar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në kundërshtim me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhrit Bektashi” në Tiranë.

Referuar komunitetit, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, “nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit”.

“Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pa konsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë”.

Komuniteti ka ravijëzuar se feja që përfaqësojnë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull.

Ato janë: Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë; Tradita Profetike dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

“Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për ‘Islam modern’ apo ‘Islam shqiptar’ apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë”, thuhet në deklaratë.

Këto terma – sipas komunitetit – nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën ombrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate. Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve myslimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare”.

Po ashtu thuhet se Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

“Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si ‘domain’ të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë”, vijon deklarata.

Zhurma e madhe rreth Shtetit Sovran Bektashi

Një lajm i beftë dhe një zhurmë e madhe mediatike e krijuar, pasuar nga disa sqarime dhe rrethuar ende me paqartësi të mëdha për çfarë pret.

Në dy ditë të fundjavës, bektashinjtë u kthyen në qendër të vëmendjes në Shqipëri dhe për këtë, “meritën” e ka përmendja e formimit të një Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë.

Praktikisht, një lloj “Vatikani” brenda kryeqytetit shqiptar.

Lajmi erdhi fillimisht nga Amerika e largët, përmes

një publikimi të prestigjiozes New York Times, por që shkaktoi shumë zhurmë në vend.

Sipas komentit të NYT, nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë ky shtet do të jetë më i riu dhe më i vogli në botë. Ndërsa, kryeministri Edi Rama, shpalosi planin për ta emërtuar “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”.

“Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, Rama për NYT: Një shtet i ri mysliman brenda Tiranës

Vetë Baba Mondi tregohet në artikull deri diku i rezervuar fillimisht për atë çfarë mund të jetë administrativisht ky shtet në ide, por interesi i lartë publik bëri që ai të reagojë mbi çështjen.

Ai i ka shpjeguar disa detaje, duke përmendur se edhe asministrativish, funksionimi do të jetë i ngjashëm me atë të Vatikanit, ashtu si Albanian Post bëri me dije në një artikull shpjegues të mëhershëm.

Teksa, në thelb, ai artikulon se nuk është thjesht çështje e ngritjes së një shteti sovran, por e promovimit të vlerave fetare dhe paqes e tolerancës.

Si e përshkruan Baba Mondi këtë entitet të ri, i cili mund të ngrihet në periferinë lindore të Tiranës, aty ku edhe ndodhet Kryegjyshata Botërore, të cilën ai e drejton?

Një shtet Bektashi brenda Tiranës – Si mund të funksionojë?

Në fjalët e tij:

“Njohja e sovranitetit është një moment transformues për Urdhrin Bektashi. Do të na lejojë të mbrojmë dhe avancojmë misionin tonë shpirtëror për promovimin e paqes, tolerancës dhe dashurisë për njerëzimin në shkallë globale.

Krijimi i Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi do të na japë autonominë për të vazhduar punën tonë pa ndërhyrje, duke na mundësuar të qeverisim çështjet tona fetare dhe administrative njëlloj si Vatikani. Ky kapitull i ri për komunitetin bektashi siguron që zëri ynë, i cili ka mbrojtur prej kohësh moderimin dhe dialogun ndërfetar, do të rezonojë më fuqishëm në mbarë globin.

Për besimtarët tanë, kjo nuk ka të bëjë me pushtetin politik apo blerjen e tokës. Ka të bëjë me forcimin e misionit të Urdhrit Bektashi për moderimin shpirtëror dhe mbrojtjen e praktikave tona fetare.

Shqipëria ka qenë historikisht një fener i bashkëjetesës fetare dhe ky hap është një dëshmi e natyrës largpamëse të qeverisë shqiptare nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili pranoi rëndësinë e dhënies së hapësirës për të vazhduar promovimin e paqes.

Për komunitetin tonë në mbarë botën, është një moment krenarie dhe ripërtëritjeje, duke forcuar identitetin dhe praninë tonë në skenën globale”.

Nuk mjafton kjo gjithsesi, pasi në opinion ka ende paqartësi. Ka dyshime për arsyet e vërteta të një ideje të tillë. Ka edhe lajme të rreme në qarkullim të shpejtë, përmes portaleve të ndryshme, të cilat përhapin informacione keqdashëse për klerin bektashi.

Aq, sa i detyron këta të fundit të dalin me një sqarim të radhës.

Përmes një komunikate për media, Selia Botërore e Bektashinjve ka treguar se e mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes.

Kryegjyshata e Bektashinjve: Iniciativa për sovranitet, çast historik për tolerancën dhe paqen fetare globale

“Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”, shkruhet në reagim.

Më tej, theksohet se Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative.

“Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave”, përmendet.

Ndër të tjera, përfshihet në çështje edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili është edhe pjesë e artikullit të New York Times për këtë çështje.

Ai megjithatë e çon më lart akoma të gjithë, duke folur këtë herë nga foltorja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë Samitit për të Ardhmen.

Rama në OKB sjell Shqipërinë si shembull të mirë për globin

Përmend fillimisht rolin e rëndësishëm që Shqipëria luan për stabilitetin politik.

Më pas përmend ndihmën që shqiptarët i kanë dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më tej faktin se Shqipëria i ka dhënë botës shenjtoren Nënë Tereza.

E më tej akoma, tregon qartësisht mbështetjen e harmonisë fetare, duke e mbyllur me idenë e krijimit të Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi brenda Tiranës.

Në bazë të “frymëzimit të harmonisë fetare”, aty gjendet edhe ideja për ndryshimin që ky Urdhër mund të zhvillojë, duke u kthyer në një shtet të mirëfilltë sovran.

“Ky është parimi që i qëndrojmë dhe rrekemi të veprojmë për të transformuar qendrën e Urdhrit Bektashi në qendër të Tiranës si një qendër tolerance bashkëjetese”, thotë kreu i Qeverisë.

Teksa, diskutimi rreth gjithë gjësë, mbetet i hapur në opinion, pavarësisht shpjegimeve të dhëna…