Kosova

Reagon AGK-ja pasi Bislimi tha se mediat kosovare “financohen nga Serbia”: Qeveria të ndalojë së sulmuari mediat


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar si deklaratë të rrezikshme dhe të papranueshme deklarimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se mediat në Kosovë “financohen nga Serbia”.

“Në konferencën për shtyp bashkë me kryeministrin Kurti, kur është pyetur për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe ‘Danas’, ai ka bërë deklarata skandaloze”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu theksohet se AGK-ja, “e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë”, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e mediave kosovare.

“Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediat kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit”.

Bislimi, në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, ka thënë se intervista e tij e fundit për gazetën serbe “Danas”, përkatësisht deklarata e tij se Qeveria e Kosovës ka bërë “lëshim të madh” në momentin që ka pranuar Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pa njohje formale, është (keq)përdorur nga një pjesë e mediave kosovare.

Madje, kryenegociatori i palës kosovare për çëshjtet teknike në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), ka thënë se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kontekstit nga mediat kosovare që, sipas tij, përveçse “financohen nga Serbia”, kanë tentuar t’i japin “konotacion negativ” pranimit të Marrëveshjes Bazë pa njohje formale.

Kur është pyetur nga gazetarët se cilat media kosovare mund të jenë të financuara nga Serbia, zëvendëskryeministri Bislimi është shprehur se “për mua mediat kosovare që financohen nga Serbia janë ato të cilat regjistrohen në Kosovë, por me pronarë nga Serbia”, derisa ka refuzuar të emërojë të paktën një platformë mediatike që financohet nga Serbia.

Bislimi me akuza të rënda: S’kemi bërë “lëshime” në dialog, deklaratat e mija u (keq)përdoren nga mediat kosovare që financohen nga Serbia

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore