Shqipëria

Rama thotë se duhet të ketë një sistem vizash për shqiptarët që duan të punojnë në Britani


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se autoritetet britanike duhet të kenë një sistem vizash që shtetasit shqiptarë të mund të aplikojnë rregullisht.

Lajmi u bë i ditur gjatë një interviste për transmetuesin britanik “Sky News”.

“Nga ana tjetër, duhet të ketë një sistem vizash që u jep njerëzve mundësi të aplikojnë rregullisht dhe të përpunohen pa kaluar Kanalin, që të vijnë këtu të punojnë, të vijnë e të ofrojnë aftësitë e tyre. Ky është një kombinim faktorësh, që po merr formë dalëngadalë dhe jam i sigurt se kjo çështje do të zgjidhet”, u shpreh fillimisht kreu i Qeverisë.

Ai shtoi se mbyllja e kufijve për të mos lejuar njerëzit që të vijnë nuk është më e mira për ekonominë britanike.

“Megjithatë”, tha Rama, “nuk më takon mua ta vendos këtë, u takon britanikëve”.

Duke iu kthyer vizitës së tij në Britani, shefi i Ekzekutivit garantoi se qëllimi i saj nuk ishte vënia në diskutim e sovranitetit dhe mandatit të qeverisë britanike për të pasur një politikë për kufijtë dhe për të zgjedhur të jetë e mbyllur ndaj flukseve që mësyjnë drejt Britanisë për një vend pune.

“Ka lidhje me motivet ekonomike, me ardhjen, gjetjen e një pune dhe ndërtimin e një të ardhmeje në një vend që ka qenë gjithnjë ‘qyteti i praruar mbi kodër’”, theksoi ai.

Sipas tij, shtetasit shqiptarë kërkojnë azil, sepse nuk ka rrugë tjetër.

“Ata nuk janë pjesë e tregut të lirë të punës, që, për shembull, nuk është rasti i kroatëve, nuk është rasti i rumunëve, i bullgarëve e kështu me radhë. Nga ana tjetër, për shkak të Brexit-it, ju e dini, kanë ndodhur disa probleme, ju keni humbur shumë krah pune nga këto vende, kështu që e gjitha ka të bëjë me ëndrrat dhe shpresat për të marrë atë që imagjinojnë se është më e mira për jetën e tyre tani, pa pritur shumë vite që kjo të realizohet në Shqipëri”, kujtoi Rama.

Kryeministri shqiptar vërejti se marrëdhëniet shqiptaro-britanike kanë prekur pikën më të ulët në histori qysh se kemi dalë nga komunizmi, për shkak të një retorike që e ka vënë të gjithë komunitetin shqiptar në Britani nën një trysni shumë të madhe.

“E bëra shumë të qartë qëndrimin tim për retorikën, marrëdhënia jonë nuk është aspak e lidhur vetëm me këtë, por me shumë më tepër”, deklaroi në vijim kreu i Qeverisë.

Në përmbyllje, ai garantoi se takimi me homologun britanik Rishi Sunak ishte “shumë konstruktiv”.

“Më duhet të them se, qoftë sa i takon asaj çfarë ka qenë me rëndësi për të, për të goditur rrjetet kriminale, ashtu edhe në aspektin e asaj çfarë është e rëndësishme për të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie shumë të forta, kemi shënuar përparime domethënëse”, siguroi Rama.

Udhëheqësit u dakordësuan mes tyre në ngritjen dhe funksionimin e grupeve të punës për të goditur rrjetet kriminale.

“Kjo është sigurisht diçka që Shqipëria e ka dashur gjithnjë. Gjithnjë kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me Britaninë”, përmbylli kryeministri shqiptar.

Reagimi i qeverisë britanike

Qeveria britanike përmes një note zyrtare bëri me dije pas takimit të kryeministrit Rama dhe homologut Rishi Sunak se “udhëheqësit shprehën ambicien e tyre të përbashkët për të zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet MB-Shqipëri”.

Kjo, duke bashkëpunuar në adresimin e kërcënimeve globale dhe rajonale dhe forcimin e partneritetit dypalësh.

Ata vunë në dukje mundësi të rëndësishme për të rritur lidhjet tregtare, investimet dhe teknologjinë dhe kryeministri Sunak përshëndeti sërish kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe, vijoi njoftimi.

“Si aleatë të NATO-s, anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe partnerë të ngushtë, udhëheqësit riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të punuar së bashku për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë, për të mbrojtur demokracinë dhe për të promovuar të drejtat e njeriut, duke përfshirë një përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj agresionit rus”, theksoi më tej Qeveria britanike.

Në të do të përfshihet edhe ndihma e mbrojtjes kibernetike shqiptare për t’u mbrojtur nga kërcënimet në internet.

Kryeministri Sunak dhe kryeministri Rama u angazhuan për të thelluar punën në kuadër të Komunikatës së Përbashkët dhe Task-Forcës të rënë dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të kontrabandës së njerëzve.

Më konkretisht, palët diskutuan për rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta në rrjedhën e sipërme për të penguar njerëzit të udhëtojnë në radhë të parë, dhe marrëveshje të mëtejshme për ndarjen e të dhënave dhe pasaportat.

Udhëheqësit mirëpritën përparimin e deritanishëm, me rreth 800 emigrantë të paligjshëm që u kthyen në Shqipëri që nga dhjetori.

“Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët MB-Shqipëri do të kryejë një vlerësim të kapacitetit të burgjeve të Shqipërisë – që do të përfundojë deri në fund të prillit – me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë të kualifikuar në sistemin e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar”, ravijëzuan autoritetet britanike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore