Shqipëria

Rama satirizon “vdekjen” e Prigozhin-it përmes një anekdote me Putin-in


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e përmbylli fjalën e tij në Forumin Strategjik të Bled-it në Slloveni duke përdorur një shaka me presidentin rus Vladimir Putin dhe ish-kreun e Wagner-it, Yevgeny Prigozhin.

“Nuk e di nëse keni dëgjuar për Rusinë që ka nisur këto negociata për të ndryshuar, për të unifikuar orën sepse kanë një diferencë 9-orëshe nga një pjesë e vendit në tjetrën. Dhe kryeministri shkoi te Putini dhe ai tha: Zoti President kemi një problem, dërgova familjen time për pushime dhe i telefonova për t’i thënë natën e mirë dhe tashmë është mëngjes, ata janë në plazh”, pikënisi kreu i Qeverisë.

Më tej, ai shton në ritregimin e shakasë se kryeministri rus kishte thirrur gjithashtu kancelarin Olaf Scholz për ta uruar për përvjetorin e tij dhe ai ishte përgjigjur se ishte nesër.

“Telefonova Xi Jinping për Vitin e Ri, ata më thanë se është akoma viti i vjetër. Dhe Putin tha: Po, më ndodhi edhe mua, telefonova familjen e Prigozhin-it për t’i kërkuar falje për humbjen e saj, por avioni nuk ishte ngritur ende në fluturim”, ravijëzoi Rama.

Anekdota lidhej me fjalën që mbajti qysh në krye të herës Rama, kur kujtoi se “me këtë panel si autobus edhe unë jam tragjikisht më shumë optimist megjithëse është më shumë më mirë sesa një avion rus”.

Kjo shaka shkaktoi të qeshura në sallë dhe pas ritregimit homologu maqedonas Dimitar Kovaçevski kërkoi mes dëshirave të tij që kryeministri shqiptar të tregonte edhe një tjetër anekdotë.

Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi vdekjen e kreut të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, në një aksident me avion privat në veri të Moskës më 23 gusht.

Komiteti tha më 27 gusht se të 10 viktimat e një përplasjeje të avionit privat të 23 gushtit ishin identifikuar dhe se identitetet “përputhen me manifestin e fluturimit”.

Më herët autoritetet ruse kishin thënë se Prigozhin dhe komandanti i Wagner në terren Dmitry Utkin ishin të listuar si pasagjerë të fluturimit, i cili po shkonte nga Moska për në Shën Petersburg.

Shkaku i rrëzimit ende nuk është përcaktuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore