Shqipëria

“Qyteti i gurtë” me një rrugë alternative


I ndërtuar me shtëpi prej druri të lidhura mes tyre me rrugë të kalldrëmta, aty gjendet pazari dhe kalaja më e vjetër në Ballkan.

Aty ku shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare, dhe lideri komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, kaluan fëmijërinë, në qytetin e gurtë do të ndërtohet dhe projekti i radhës i qeverisë.

Rreth 1.1 kilometër larg nga qendra e Gjirokastrës, në pjesën verilindore të saj, Bypass-i i Gjirokastrës do të fillojë nga Ura e Nanxës deri në Urat e Mëdha Dunavat. Rruga shtrihet në luginën e përroit të Nanxës dhe ka një gjatësi rreth 980 metër, gjerësi rruge 6 metër për lëvizjen automobilistike, si dhe 3 metër trotuar në të dy anët e rrugës.

Më herët Komiteti i UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore, i ka kërkuar qeverisë shqiptare ndërprerjen e punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës.

Bazuar në rezolutën e publikuar nga UNESCO shkruhet se, i rekomandojmë qeverisë të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandime e duhura.

Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, e cila po zhvillohet në datat 16- 31 korrik, në Kinë.

Ndonëse kjo kërkesë mori një vëmendje të madhe mediatike, ministrja aktuale e Kulturës, Elva Margariti, në një prononcim për media, ka folur më qartë rreth kësaj kërkese.

“UNESCO ka kërkuar të sjellë një monitorim të ekspertëve dhe jo pezullim të punimeve, pasi kjo e fundit bien ndesh me vlerat e shtuara”, tha ajo.

Për ti dhënë zgjidhje problemit të trafikut në Pazarin e Gjirokastrës, duke e shndërruar atë në një zonë të përshtatshëm për këmbësorët, “pa cenuar autenticitetin dhe karakterin e zonës së ndërhyrjes”, ky projekt i ka rrënjët pesë vite më parë.

Qarkullimi i automjeteve do të devijohet nga zona muzeale dhe kryesisht nga qendra e Qafës së Pazarit, drejt qendrës së qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastër, gjatë prezantimit të projektit, më 4 tetor të 2020-ës, ka treguar se, zhvillimi i Bypass-it në këtë zonë do të mundësojë një lidhje midis lagjes ‘Cfakë’, ‘Dunavat’ dhe ‘Pazar i vjetër’ që bën të mundur dhe zhvillimin e kësaj zone.

Gjithashtu projekti ka të parashikuar ndriçimin e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, si dhe pajisjen me sinjalistikën horizontale e vertikale.

Ku i ka rrënjët Bypass-i i Gjirokastrës?

Në nëntor të 2015-s, kompania “Atelier Albania”, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, mandatuar nga Zyra e kryeministrit, shpalli konkursin ndërkombëtar për të mbledhur projekt propozime për projektimin urban të Bypass-it të qytetit jugor.

Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) është autoriteti kontraktor për këtë proces.

Pas mbylljes së fazës së dytë të konkursit, Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR) dha miratimin paraprak në shtator të 2016-ës për ndërtimin e Bypass-it të qytetit, të mbrojtur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore.

Një projekt ky që u kundërshtua nga emra të njohur të shkencës, fushës së trashëgimisë kulturore, urbanistikës e më gjerë.

Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës (FMVGJ), në 2017-ën ka kërkuar të takohet me ish- ministren e Kulturës, Mirela Kumbaron, e cila nuk e ka pranuar ftesën më 16 dhjetor të po këtij viti.

Ata organizuan një peticion me 30 firma, të cilën ia dërguan presidentit, qeverisë, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Bashkisë Gjirokastër dhe prefekturës. Përmes të cilës kërkohet anullimi i këtij projekti.

Pas qëndresës nga qytetarët, u vendos anulimi i projektit të Bypass-it të vitit 2016 nga qeveria me në krye Edi Ramën.

Qyteti “unik” për nga kompozimi urbanistik dhe arkitektonik, do të bëhej me një projekt të ri, tre vite më vonë.

Më në fund, një projekt i ri

Projekti i ri, që u prezantua nga Flamur Golemi, në tetor të 2020-s, do të shmangte kalimin e rrugës nga lagjja “Pazar i Vjetër”, duke marrë parasysh dhe kërkesat e banorëve.

Një studim i kryer në 2020-ën, nga kompania “Zenit & CO”, përcakton prurjet e ujit në aksin ku ndërpritet rruga e Bypass-it në Urën e Nanxës me Perroin e Nanxës, e cila formon një pellg ujëmbledhës prej 3.2 kilometër katror.

Golemi ka sqaruar se “kjo ndërhyrje, përveç zgjidhjes së problemit të qarkullimit, gjithashtu i jep zgjidhje përfundimtare rrëshqitjeve të shpateve të Përroit të Nanxës që ka qenë një zonë me rrezikshmëri të lartë për banorët e kësaj zone në të dy anët”.

“Pas kthimit të Pazarit në pedonale, qarkullimi i makinave u minimalizua, por duke pasur pasoja dhe vështirësi për mjetet automobilistike të lagjeve të sipërme të qytetit”, ka thënë kryebashkiaku Golemi.

Ndërsa arkitekti  Jorgo Xuhano, është shprehur se, projekti nga Ura e Nanxës tek Urat në Dunavat, me një vlerë prej 700 milionë lekë, është “një zgjidhje e mirë”.

Kjo sepse kalon në një zonë të pabanuar, duke mos prekur asnjë banesë, pavarësisht se është në zonën e Qendrës historike.

“Me bërjen e bypass-it në këtë zonë, mendoj se bëhet një lidhje midis lagjes ‘Cfakë’, ‘Dunavat’ dhe ‘Pazar i vjetër’ që bën të mundur dhe zhvillimin e kësaj zone në një zonë të vizitueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës pritëse turistike për vizitorët vendas e të huaj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore