Kosova

Qeveria shqyrton projektligjin për të burgosurit në Danimarkë – të cilin danezët duan ta tërheqin për shkak të tensionit në Veri


Qeveria e Kosovës

Kabineti i ministrave në krye me Albin Kurti si kryeministër do të mblidhen këtë të mërkurë në mbledhjen e radhës së qeverisë.

Me fillim nga ora 11:00 kabineti do të shqyrtojë 21 pika të rendit të ditës.

Një nga pikat që do të diskutohet në këtë mbledhje është edhe Projektligji për Ratifkimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Por, një ditë më parë Zenia Stampe, deputete daneze nga Partia Social-Liberale, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin e Danimarkës, ka thënë se pas tensioneve në Veri të Kosovës, shteti i tij nuk duhet t’i strehojë 300 të burgosurit në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

“A duhet të dalë situata jashtë kontrollit para se politikanët danezë të thonë se marrëveshja duhet të anuluar?”, ka pyetur ajo.

“Është gjithashtu një vend që është qendra e tensioneve shumë të mëdha të brendshme dhe ku janë në rrezik interesa shumë të mëdha ndërkombëtare. Ndoshta nuk është vendi i parë që dikush do të mendonte se duhet të jetë shtëpia e një pjese të shtetit ligjor danez”, theksoi Stampe, raporton mediumi danez Altinget.

Ndryshe, janë bërë dy vite prejse Kosova dhe Danimarka kanë arritur marrëveshje për strehimin e 300 të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Gjilan, por një gjë e tillë nuk kanë ndodhur ende edhe pse parashihej që transferimi i tyre të bëhet në tre muajt e parë të vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore