Kosova

Qeveria e Kosovës blen 7 milionë euro rezidencë në Londër


Ndërtesa e blerë nga Kosova në vlerë prej mbi 7 milionë euro.

Kosova, gjegjësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ka shpenzuar mbi 7 milionë euro apo rreth 6.5 milionë funte për të blerë një rezidencë në Londër, ndërtesë të cilën do e shfrytëzojë si Ambasadë të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Prestigjiozja britanike “The Telegraph” përmes një artikulli ka bërë të ditur se ndërtesa mbi 5 mijë metra katrorë, e cila deri para pak vitesh ka qenë në pronësi të komedianit, Spike Milligan, tashmë është blerë nga Qeveria e Kosovës, pas një marrëveshjeje të rënë dakord nga ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Iliri Kapiti.

Ambasada e Kosovës e cila ndodhej në rrugën John të distriktit Holborn në Londër shumë shpejt do të mbartet te ndërtesa i cili gjendet në zonën Bayswater, brenda qytetit të Westminister në Londrën Perëndimor, pasi të përfundojnë punët e renovimit.

Rezidenca, e cila është e ndërtuar në vitet 1890, ka një sërë dhomash të mëdha në katin e parë, tavane dhe dritare të larta dhe ndodhet në një nga zonat më të kërkuara të ambasadave, shkruan “The Telegraph”.

Kosova, siç raporton prestigjiozja britanike, blerjen e kësaj rezidence të shekullit 19-të, e ka bërë përmes kompanisë londineze, e cila merret me shit-blerjen e patundshmërive.

Gary Hersham, pronari i kompanisë së patundshmërive Beauchamp Estates, ka thënë për “The Telegraph”, se rezidenca në fjalë është e përsosur për nevojat e një misioni diplomatikë.

“Ka një hapësirë të madhe dhe një vendndodhje shumë të mirë, afër Hyde Park jo shumë larg Buckingham Palace”, ka thënë Hersham për “The Telegraph”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore