Lajme

Publikohen rezultatet e testit të arritshmërisë – 50.75 për qind mesatarja


Foto nga mbajtja e testit të arritshmërisë nga vitet e kaluara.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e Kosovës, ka publikuar të enjten rezultatet e Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, sipas të cilave arritshmëria mesatare është 50.75 për qind.

Në njoftim thuhet se, në pjesën e parë të testit, arritshmëria e shprehur në përqindje në lëndët e përfshira në këtë pjesë është 54.4, ndërsa e ndarë sipas lëndëve është, në Gjuhën shqipe – 57.5, Gjuhë angleze – 74.1, Histori – 42.1 dhe Gjeografi – 50.5.

“Ndërsa, në pjesën e dytë të testit, arritshmëria është 47.1 për qind dhe e ndarë sipas lëndëve është: Matematikë – 46.8, Informatikë – 52.1, Fizikë – 45, Kimi – 41.3 dhe Biologji – 51.2. Testit të Arritshmërisë këtë vit i janë nënshtruar rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI)

Ndryshe, 24 mijë nxënës të shkollave fillore i janë nënshtruar testit të arritshmërisë këtë vit.

Në Kosovë, kësaj here testi i arritshmërisë për klasat e nënta është organizuar në dy ditë.

Ndryshimi që ka ky test nga testet e kaluara të këtij niveli është se të përfshira kanë qenë 200 pyetje nga të gjitha lëndët.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Iliriana Pylla, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka treguar qëllimin e këtij institucioni që po synohet përmes këtij ndryshimi.

“Në ditën e parë do të jetë testi nga gjuha shqipe, angleze, historia dhe gjeografia, ndërkaq në ditën e dytë, do të jetë testi nga matematika, fizika, informatika, kimia dhe biologjia”.

“Qëllimi i këtij ndryshimi është që të mund të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh”.

Testi i parë ishte mbajtur me 4 qershor dhe i dyti me 14 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore