Kosova

Protestë në Hagë, në mbështetjet të ish-krerëve të UÇK-së


Ashtu siç ishte paralajmëruar marshi për të mbështetur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosoovës do të mbahet këtë të hënë në Hagë.

Shqiptarë nga shtete të ndryshme të diasporës kanë filluar të mblidhen para selisë së Gjykatës Speciale për të shprehur solidarizimin dhe përkrahjen e tyre për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, gjykimi i të cilëve fillon këtë të hënë.

Protesta do të zhvillohet e qetë, ashtu siç ishte organizuar dhe realizuar një ditë më parë në Prishtinë.

Një nga protestuesit Milaim Gashi i cili kishte udhëtuar nga Freiburgu i Gjermanisë në Hagë, ka thënë se ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së po bëhet padrejtësi e madhe dhe janë aty për t’i mbështetur ata.

“Ne jemi këtu me shpall pakënaqësi ndaj gjykatës se Hagës, është një padrejtësi e madhe që po u bëhet krerëve te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai për KosovaPress.

Ish-themeluesit e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.

Për të mbështetur Thaçin dhe të tjerët, në prag të fillimit të gjykimit, ditën e diele në Prishtinë është mbajtur një marsh edhe në të cilin morën pjesë qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës.

Me mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova zbarkuan të dielën në Prishtinë nga secila lagje e secili fshat me kërkesën e vetme: drejtësi për krerët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë të Holandës për krime të pretenduar lufte.

Akoma nuk ka shifra zyrtare, por për nga masiviteti i pjesëmarrjes, marshi i organizuar nga platforma “Liria ka Emër” dhe i përkrahur nga partitë politike, nismat qytetare, organizatat e shoqërisë civile, duhet të jetë një nga organizimet me pjesëmarrjen më të madhe qysh nga paslufta.

Kolonat e njerëzve ishin grumbulluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, te sheshi “Nënë Tereza” e deri te sheshet “Skënderbeu” e “Ibrahim Rugova”.

“Si çdo herë, ne presim me qenë të lirë, të drejtë, por Evropa është ajo që ka qenë më herët”, thotë një qytetar që ka ardhur nga Suhareka për t’iu bashkëngjitur thirrjes së platformës “Liria ka emër”, që për nga pjesëmarrja duhet të jetë një nga organizimet me pjesëmarrjen më të madhe qysh nga paslufta.

“Mos të gjykohen vetëm shqiptarët. Mos të ketë gjykim selektiv për shqiptarët. Për këtë edhe marshuam, që të jemi sa më korrekt me drejtësinë. Ata le të kthehen në vendin e vet sepse nuk kanë bërë krime. Të gjykohet ata që kanë bërë krime”, thotë nën emocione një tjetër qytetar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore