Shqipëria

Pronat e Ervis Martinajt do të lihen nën sekuestro, vendos Apeli i GJKKO


Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për të sekuestruar 34 pasuri të Ervis Martinajt, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të vënë nën sekuestro pasuritë e të shumëkërkuarit të drejtësisë.

Prej gushtit të shkuar, Martinaj është shpallur i zhdukur dhe një version zyrtar mbi fatin e tij, ende mungon.

Familjarët ndërkaq, patën kërkuar më 7 mars heqjen e sekuestros, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Apeli i GJKKO-së.

Ishte, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ajo që sekuestroi pasuritë e Ervis Martinajt, i cili është shpallur i zhdukur që prej gjashtë muajve.

Operacioni është përqendruar në Lezhë dhe Fushë Kuqe, zonë ku ndodhen familjarët e tij.

Urdhri për sekuestrimin e pasurive është firmosur nga vetë kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, prokurori Behar Dibra dhe prokurorja Enkeleda Millonai.

Bëhet fjalë për 34 pasuri në total, në zotërim të Martinajt dhe familjarëve të tij.

Përfshihen disa makina, lokale, kompani, apartamente, kazino, toka dhe llogari bankare të fëmijëve.

Ndërkohë dy muaj më parë ka pasur një kontroll në banesën e tij në Fushë Kuqe.

Nga apartamentet te llogaria bankare e fëmijëve, çfarë po i sekuestrohet Ervis Martinajt?

Prej fundit të korrikut, Martinaj është raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij, të cilët kanë bërë edhe kallëzim në Polici pasi kishte humbur krejtësisht gjurmët.

Ka qenë xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj, ai i cili ka kryer kallëzimin në Policinë e Kurbinit.

Megjithatë, asnjë detaj apo gjetje, nuk janë bërë me dije deri tani nga Policia e Shtetit lidhur me rastin.

Më 19 gusht, Albanian Post raportoi për herë të parë ekskluzivisht se Ervis Martinaj ishte rrëmbyer e më pas vrarë, siç dyshohet nga grupet rivale.

Por, nga ana e Policisë së Shtetit, ende nuk ka një version zyrtar për ngjarjen.

Kjo, pavarësisht një interesi të madh publik, për çështjen e cila është bërë tashmë edhe me konotacion politik, duke parë edhe lidhjet e mundshme që Martinaj ka pasur me botën e politikës.

Ai njihej ndryshe edhe si bosi i lojërave të fatit, pasi operonte në këtë fushë prej vitesh dhe kishte krijuar praktikisht një monopol të tyre, me shuma marramendëse parash të luajtura çdo ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore