Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare

SHFLETO

Nagip Krasniqi, ish-kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK)

Sahide Brati
19.08.2024 15:54
Loading Icons...

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për media, ku njoftohet se i dyshuari kishte keqpërdorur detyrën zyrtare nga viti 2021 deri në vitin 2023.

“Sipas aktakuzës i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”, thuhet në njoftim.

Më 19 prill të vitit të kaluar, Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Më 2 dhjetor të vitit 2024, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Me gjithë akuzat ndaj tij, në letrën e tij përshëndetëse pasi u shkarkua nga pozita në fund të muajit prill të këtij viti, Krasniqi në platformën e tij në “LinkedIn” pati theksuar se nuk ka arritur ta përmbush plotësisht objektivin e tij, porse ka lënë “disa gjurmë të mira”.

“Ne humbëm disa beteja kyçe përgjatë rrugës, kemi humbur disa njerëz të mirë, dështuam të fitojmë…dhe këto janë disa nga shijet e mia të hidhura që i mora me vete. Por, ne lamë pas vete disa gjurmë të mira, dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur”, pati shkruar ai.

“Po ashtu lamë prapa disa njerëz vërtetë të mrekullueshëm që do të vazhdojnë ndryshimit dhe përfundimisht do ta kompletojnë transformimin”.

Pas shkarkimit të Krasniqit, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energjetike të Kosovës, Bekir Gërgurin.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitë në Kosovë, takon komandantin e KFOR-it mes paralajmërimeve për tensione

SHFLETO