Kosova

Profesori i Oxfordit: Kosova dhe Serbia larg normalizimit, situata në Veri po e shtyn BE-në të menaxhojë kriza


Dimitar Beçev

Sipas Dimitar Beçev – ligjërues në Shkollën e Studimeve Globale dhe Rajonale, në Universitetin e Oksfordit – Kosova dhe Serbia janë “goxha larg” për normalizimin e marrëdhënieve, pasi që thotë se “përshkallëzimi i përsëritur në Veri të Kosovës po e shtyn Bashkimin Evropian të merret me menaxhimin e krizave”.

“Në vend që të fokusohen në një zgjidhje, të dërguarit perëndimorë janë të zënë me uljen e tensioneve”, ka thënë ai në një intervistë për “AlJazeera Balkans”.

Sipas tij, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “nuk do të japë shumë” pa u themeluar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, por të gatshëm për kompromis nuk e sheh as palën shqiptare.

“As kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është në modë kompromisi, qoftë për shkak se është ideologjik, qoftë sepse nuk i beson Serbisë dhe Bashkimit Evropian, i cili ka pesë anëtarë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Bashkimi Evropian, beson Beçev, “nuk mund të tërheqë asnjë vend për anëtarësim, sepse perspektiva bëhet e pakapshme”.

“Serbia nuk do të anëtarësohet shpejt, e lëre më Kosova”.

I pyetur se si e sheh trekëndëshin Serbi-Rusi-BE, profesori i Oxfordit vlerëson se Beogradi “po balancon mes të dyjave dhe Aleksandër Vuçiç po mundohet të marrë maksimumin”.

“Deri më tani, politika e tij po funksionon. Serbia nuk është anashkaluar dhe nuk i nënshtrohet sanksioneve. Aleksandër Vuçiç është çelësi për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën. Ai mund të jetë një partner me Perëndimin në frenimin e Milorad Dodik, presidentit të njësisë Republika Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës, megjithëse të dy tani janë afruar më shumë”.

Ndërsa, shton se “nga ana negative, anëtarësimi në Bashkimin Evropian po bëhet gjithnjë e më i pakapshëm për Serbinë, duke përfshirë përfitimet ekonomike që ajo ofron, si miliarda fonde”.

“Aleksandër Vuçiq është i kënaqur me status quo-në, por shumë serbë do të hynin në Bashkimin Evropian individualisht, me zhvendosje”, beson ai.

Përkundër tensioneve aktuale në Ballkan, Beçev nuk pret që të ndodh “një konflikt i madh e i dhunshëm në rajon, një rikthim në vitet nëntëdhjetë”.

“Frika që arriti kulmin me pushtimin rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022 nuk u realizua. Megjithatë, as status quo-ja nuk është optimale. Optimizmi do të ishte i parakohshëm dhe i pamatur. Autoritarizmi, nacionalizmi dhe kapja e shtetit janë të rrënjosura dhe të vështira për t’u sfiduar”, pohon ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore