Kosova

Prishtinë: Marsh solidarizues me popullin Hebre


Në Prishtinë të premten është mbajtur marsh solidarizues me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit, “pas sulmeve me të cilat po përballet tash e disa javë shteti mik i Kosovës nga ana e organizatës terroriste Hamas”.

Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë rindezur konfliktin e vjetër palestinezo-izraelit, andaj kjo ka bërë që aktivisti Arlind Imeri të organizojë një marsh paqësor në Prishtinë.

Ai ka thënë se shteti i Izraelit “ishte pranë nesh kur ne kishim nevojë për strehim gjatë luftës së Kosovës andaj solidarizohemi me popullin e hebre në këto ditë të vështira, është më e pakta që mund të bëjmë ne në Kosovë”.

“Ky marsh është thirrur për të përçuar mesazh paqeje për dy popujt, popullin palestinez dhe popullin izraelit”, ka thënë ai.

Organizimi nuk ka për qëllim të jetë kundër organizimeve të mëparshme që janë bërë në përkrahje të popullit palestinez.

“Ky organizim nuk ka të bëjë me kundërpërgjigje. Jetojmë në një vend demokratik, secili shpreh mendimet e veta të lira dhe secili rreshtohet aty ku mendon se është më së miri. Në këtë rast ne jemi rreshtuar krah popullit izraelit, popullit mik tonit”, ka deklaruar ai.

Imeri konsideron se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet nga sulmet terroriste të cilat po i shkakton tash e disa ditë grupi terrorist Hamas. Gjithashtu, ai ka thënë që kjo është edhe një ftesë edhe për Qeverinë e Kosovës që të jetë më e shpejtë në përgjigjet ndaj miqve të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka reaguar pak me vonesë, megjithatë një reagim i mirë, është rreshtuar kah miqtë tanë”, tha ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore