Kosova

Presidenti i njëjtë, politika e njëjtë – A ndryshon diçka në raportet Kosovë-Serbi pas fitores së Vuçiç-it në zgjedhje?


Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç

Rikonfirmimi i Aleksandër Vuçiç si president i Serbisë, sipas njohësve të politikave të Ballkanit, nuk duhet lexuar si momenti i përmirësimit të marrëdhënieve paraprake me vendet fqinje, veçanërisht me Kosovën.

Shtetet fqinje të Serbisë, sipas studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare duhen të jenë të përgatitur për t’u ballafaquar me të njëjtën vijë të përgjithshme – nacionaliste dhe jokonstruktive –  të politikës së jashtme të Beogradit.

Filozofi dhe publicisti Shkëlzen Maliqi për Albanian Post tregon se rikonfirmi i Aleksandër Vuçiç nuk përbën risi. Ai fitoi sepse s’pati kundërkandidat të denjë që ofronte alternativa në marrëdhëniet ndërfqinjësore.

“Madje, në rastin e Kosovës, konkurrentët e Vuçiç, ata që kishin gjasa të merrnin vota të konsiderueshme, nuk premtonin ndryshim substancial, pëkundrazi kanë qenë më të fortifikuar në pozicione më radikale se vetë Vuçiç i cili dinte të premtonte arritje të marrëveshjes me Kosovën në suaza të ‘kompromiseve të dhimbsme’, për shkak të presionit të madh ndërkombëtar. Ndërsa ata më qëndrime më të moderuara, nuk e kanë rrezikuar fare Vuçiçin”, konsideron Shkëlzen Maliqi.

Shkëlzen Maliqi

Se rikonfirmi i Vuçiç-it nuk do të sjellë një frymë të re në politikën e jashtme të Serbisë, e thotë edhe Akri Çipa, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare. Madje ai për Albanian Post potencon se shtetet fqinje duhet të jenë më të aftë në demaskimin e politikave dyfytyrëshe të Serbisë.

“Vuçiç është përpjekur ta qendërzojë rolin e vendit të tij në rajon nëpërmjet retorikës së shtuar agresive ndaj fqinjëve të tij, ndërhyrjes në punët e tyre të brendshme, si dhe, në rastin e Kosovës, duke mbajtur një qëndrim destruktiv në lidhje me çdo proces normalizimi. Fqinjët e Serbisë duhet të presin të njëjtën vijë të përgjithshme në politikën e jashtme”, ka thënë Çipa.

Njohësit, pas sigurimit edhe të një mandati pesëvjeçar nga ana e Vuçiç, nuk besojnë se ky i fundit do të tentojë të përmirësojë raportin me kryeministrin Kurti, marrë për bazë përjashtueshmërinë që kanë këta të dy në raport me njëri-tjetrin.

“Nëse situata do të analizohej racionalisht dhe në interes të vërtetë të vendeve të rajonit, pra edhe për Kosovën dhe Serbinë, do të duhej të parashikohej ‘paqja e shkrirë’, dhe jo më ‘konflikti i ngrirë’. Por, është shumë herët për të dhënë parashikime të detajizuara. Kemi të bëjmë me shumë faktorë dhe të panjohura që nuk mund t’i interpretojmë ashtu siç kemi bërë deri dje, duke llogaritur me parametra historike, ose raporte përjashtuese mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiç”, argumenton Maliqi.

Akri Çipa

Në anën tjetër, Çipa mendon se ndryshimi substancial në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it qëndron në atë se si dy liderët konceptojnë të ardhmen e vendeve të tyre dhe të rajonit.

“Kjo bëhet edhe më e dukshme brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por aty vështirësia lind sa nga karakteri politik i dy drejtuesve, aq edhe nga strukturimi i platformës aktuale të dialogut. Qëndrimi që mbajti Kurti në lidhje me mënyrën e votimit të serbëve të Kosovës në procesin elektoral në Serbi, janë një përpjekje për ta adresuar një asimetri që është krijuar në dialog me dëshirën e Serbisë dhe me bekimin e heshtur të Brukselit”, ka shtuar ai.

Për alarmimin nga ana e Kurtit se Serbia mund të tentojë të bëhet përçues i konfliktit rus në Ballkan, Maliqi e ka një përgjigje. Për të Beogradi mund të tentojë një çmenduri të tillë, por zhgënjimi është i pritshëm.

“Serbia është, edhe pse neve nuk na duket e tillë, historikisht e përçarë në orientim; mëdyshjet nga duhet të orientohet nga Lindja apo Perëndimi, dhe kjo mëdyshje ngjizet nga pikëvështrimi i një mendësie që krishterimin ortodoks e sheh të papajtueshëm me krishterimin katolik. Putinizmi në Rusi ndërsen këtë papajtueshmëri në dimension tjetër, ku luftohet demokracia liberale nga pozita e autoritarizmi carist. Bëhet fjalë për një dëlirë të ringjallur të fundamentalizmave historik, këtë herë të proveniencës ortodokse”, pohon Maliqi.

Ndryshe nga Maliqi, Çipa thotë se përpjekja e Rusisë për të krijuar një vatër konflikti në rajon është evidente.

Megjithatë ai potencon se Serbia nuk duhet të shndërrohet në një kurban të Rusisë.

“Duke mos pasur prani dhe kapacitet për të ndikuar drejtpërdrejt në rajon, normalisht që këtë mund ta realizojë vetëm nëpërmjet subjekteve të caktuara politike dhe parapolitike të cilat kanë afinicion dhe janë nën ndikimin e influencës ruse. Deri më sot elita politike serbe futet në këtë grup”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore