Film

Populli i Getinjos, analfabetit narcist


Fotoja është ilustrim nga Albanian Post. Ajo tregon kokën e Getinjos në trupin e Xerxes I të Persisë, një tirani famkeq që nga dashuria për vetën besonte se është gjysmë perëndi. Imazhi është pamje nga portretizimi që i është bërë Xerxes I në filmin “300 Spartanët”. Koka në sfond është fytyra e Afërdita Paqaradës në pamje të Kleopatrës.

Po m’bon keq”, i tha ai.

Ma thuaj çfarë të keqe?”, ia kthej ajo.

Jo t’keqe që je t’um bo k’shtu t’keqe, po k’shtu po’m bon keq”, u përgjigj ai.

Ky komunikim i paqartë po bëhej mes Vivien dhe Getinjos.

Ata janë personazhe të Big Brother Vip Kosova. Emisioni më i ndjekur në Kosovë. Getinjo njeriu më i pëlqyer në këtë emision.

Ishte në një nga episodet e këtij Reality Show kur u nxor në votim se kë duan qytetarët më shumë nga banorët dhe ndjekësit votuan për Getinjon, reperin e ligës së dytë.

Për të kishte një numër rekord votash u tha nga prezantuesit atë natë.

Paaftësia e liricistit për t’u artikuluar shqip flet për të, të qenurit pikërisht më i votuari ai, flet për shikuesit që e përcjellin këtë program.

Në boten e varfër të Getinjos “k’shtu” dhe “k’shtu” me gjasë prezantojnë gjëra të ndryshme.

K’shtu” duhet të jetë një sinonim për diçka dhe kur thuhet “k’shtu” brenda të njëjtës fjali, por pak më vonë, duhet të jetë sinonim për diçka tjetër.

Edhe “e keqja” që e ndjen Getinjo varësisht se në cilën pjesë të fjalisë thuhet sigurisht prezanton ndjenja, apo gjëra të ndryshme.

Leksiku i mangët i hip-hoperit të provincës është shpjegimi për karrierën muzikore të tij, por cili është arsyetimi për pëlqyeshmërinë ndaj një personi që nuk e ka as artikulimin bazik në gjuhën shqipe?

Në një shtëpi ku megjithatë ka persona që arrijnë të prezantojnë ndjenjat e tyre përmes fjalive dhe për më tepër ku ka banorë që përveç se artikulohen në një nivel shumë më superior se ai dhe bartin një kauzë emancipimi siç ishte Edoni, një biseksual Drag Queen, të votohet dikush që ka probleme në shpjegimin e asaj çfarë ndjenjë – në gjuhën e Getinjos – është “kapaki i kapakave”.

E ke v’nu kapakin e kapakave”, i thoshte ai Vivienit, e cila i shpjegonte se me sjelljet e tij po ndjehej e shkelur.

Sherri mes tyre, besoni ose jo, kishte filluar pasi Getinjo ishte bërë nervoz meqë Vivien i kishte “bërtitur te veshi”.

Krejtësisht i paqartë dhe primitiv, Getinjo nuk arrinte dot t’i tregonte bashkëbisedueses se çfarë saktësisht e preokuponte rreth sjelljes së saj.

Por, paaftësia për t’iu dhënë mendimeve formë me fjali është edhe shpëtimi i Getinjos. Po të tregonte krejt qartësisht se çfarë ndjenë dhe nga çfarë motive nxitet, ai do të dilte edhe më keq.

Qasja e tij, siç mund të shihet lehtësisht nga videot e ndryshme në internet, është qasja e një mashkulli tipik primitiv që pasiguritë e veta i projekton si gabime të partnerit.

Kur thoshte Getinjo se “po më bën keq k’shtu” e “jo k’shtu”, ai në fakt po i thoshte Vivienit se nuk është se ajo direkt po manifeston ndonjë veprim a fjali në raport me të që e bën të ndjehet keq.

Getinjo po tentonte t’i thoshte se atë e shqetëson si e mirëmban ajo raportin që shkon përtej tij dhe kjo përtej tij e pengon, sepse janë në pyetje prirjet narciste që në gjenezë kanë pasigurinë e një djali që vuan për vëmendje.

Një tjetër situatë mes të dyve, shpalosë akoma më mirë imbecilitetin e tij. Paqartësia i kap nivele mejgullosëse.

Çfarë problemi ke?”, e pyet Viven dhe ai ia kthen “jo unë s’kom problem”, për t’i treguar vetëm 5 sekonda më vonë se ka problem.

Ia ke nis me’m bo keq”, i thotë.

E pse po të bëj keq?”.

Qashtu po’m jep energji të keqe”.

Po, pse?”, e pyet serish ajo dhe përgjigja vjen në formë të onomatopesë.

Qashtu, me qeto farë uvuvuvuv…”, pason përgjigja për të thënë pastaj një fjali të një personi që gjuhën shqipe e ka gjuhë të 10-të.

A din krejt ato t’mirat qi i ni për ty, me nji t’keqe po mi hek, krejt qato t’mira”.

“Po ma thuaj çfarë t’keqe?”,

Jo jo t’keqe qe je t’um bo t’keqe”, vazhdon paqartësia totale e një 30 e ca vjeçari.

Në komentet e këtij segmenti në videon e shpërndarë në Facebook, Getinjo për këtë “vuvuvu” të tij merr shumë lëvdata.

Bravo Getinjo” shkruan njëri, kurse tjetri thotë “Getinjo veç vazhdo” dhe një kurorë mbreti e bashkëngjit në koment.

Derisa një komentuese shkruan se Vivien “është femër budallaqe…”.

Në anën tjetër Getinjo artikulim të qartë bën vetëm në rastet kur thotë se “unë nuk gaboj kurrë”.

Shpërfaqje kjo tipike e një çrregullimi në personalitet. Ai beson se është superior dhe unik krahasuar me tjetrin.

Ai ka nevojë për admirim të tepruar dhe operon sikur ta posedonte të drejtën dhe të vërtetën në xhep. Ka një dëshirë të vazhdueshme për ankesa, sepse do rikonfirmim të përhershëm të rëndësisë së tij dhe nëse nuk e merr krijon dramën që ia mundëson vëmendjen që i duhet, derisa e bënë kryesisht me sjellje dhe qëndrime arrogante e me fjali të tipit “k’shtu”.

Getinjo narcist është i tillë. Ai është krejtësisht deluziv në raport me veten. Sikur në sekuencën që u tregonte banorëve të tjerë se sa “influencer” është.

Getinjo pret që të njihet si superior mes banorëve përkundër se nuk ka një arritje superiore as jashtë e as brenda shtëpisë, derisa e dashura e tij pavetëdijshëm ia plotëson apetitet për t’u ndjerë se po kontrollon diçka.

Për gjithë këtë personalitet posesiv, lidhjen mbytëse, tonet e ashpra, fjalitë e papranueshme moralizuese e të tjera s’i këto Getinjo përveç se është shpërblyer nga publiku, çuditërisht nuk është kritikuar as në studio nga analistët.

Përkundër se një prej këtyre analistëve është edhe një grua, Afërdita Paqarada – një fytyrë që ishte harruar prej kohesh dhe nuk përbënte kurrfarë mendimi në sferën publike të shoqërisë shqiptare.

Ajo u rikthye në këtë pozicion, vetëm për ta ridëshmuar pse ishte harruar.

Artikulimin të përafërt me të Getinjos, Paqarata shumicën e kohës e ka vështirë të bëjë dy fjalë bashkë.

Ne vend se të analizojë dinamikat dhe të zbërthejë momentet brenda shtëpisë, Paqarta u jep këshilla prindërore – nëse veç quhen këshilla – banorëve.

“Shpjegimet” e saj kufizohen në përshkrimin e ngjarjeve, por jo në shtjellimin e tyre. “Kur ky shkoj atje, ti i the, pastaj ai ta kthej”, janë pak a shumë fjalitë përmes të cilave e jep kontributin analistja.

Aq e shkapërderdhur duket ajo në fjalitë e saj, saqë më shpesh krijohet nevojë për të shpjeguar dikush tjetër se çfarë po thotë ajo, se çfarë po thonë banorët e shtëpisë.

Por, ka shumë mundësi që edhe atë e do shumë publiku. Njerëzit që votojnë Getinjon si më të pëlqyerin duhet me siguri ta pëlqejnë edhe Paqaradën.

Populli i Getinjos ky është, s’kemi ç’bëjmë, pos t’ia njohim vullnetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore