Kosova

Politologu kroat: Kurti dhe Vuçiç po presin që njëra palë ta prishë Marrëveshjen e Ohrit e të lirohen nga detyrimet


Dejan Joviç

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Zagreb, Dejan Joviç, vlerësoi se Kosova dhe Serbia e pranuan Planin Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve “sepse ishte më e rrezikshme ta refuzosh sesa ta pranosh atë”, por shtoi se tash të dy palët po përpiqen të largohen nga obligimet e Marrëveshjes së Ohrit.

“Të dyja palët presin që tjetra ta prishë marrëveshjen dhe në këtë mënyrë t’i lirojë të dyja nga detyrimi për ta zbatuar atë. Nuk pres që marrëveshja të zbatohet ashtu siç e kanë parashikuar nismëtarët e saj”, ka thënë Joviç për gazetën opozitare serbe “Nova”, duke komentar pajtimin e arritur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Do të ishte mirë të mos jemi dogmatikë, pra të jemi të hapur ndaj të gjitha varianteve të mundshme të zgjidhjeve, madje edhe atyre që deri më tani janë trajtuar si të pamundura”, tha Joviç, por, siç vazhdoi tutje ai, “është e nevojshme një zgjidhje e çështjes shqiptaro-serbe”.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Këtij teksti – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky aspekt po vlerësohet nga njohësit si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Megjithatë, gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat ilegale KM të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Në fakt, djegia e veturave ka filluar qysh vitin e kaluar kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa legale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore