Kosova

Policia: S’pati asnjë incident në protestën e serbëve në Veri


Policia në Veri, foto nga arkivi

Policia e Kosovës, pas përfundimit të protestës së komunitetit serb në Mitrovicë të Veriut, ka konfirmuar se protesta ka përfunduar e qetë dhe e njëjta ka zgjatur për një orë.

Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës ka thënë se është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit para, gjatë dhe deri në përfundim të protestës.

“Sot, rreth orës 11:00, në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicë Veri ka filluar të mbahet protesta e paralajmëruar e disa qytetarëve të nacionalitetit serb, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën dhe deklarimet për hapjen e urës për qarkullim”.

“Rreth orës 12:00, protesta ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore”, thuhet në komunikatë.

Serbët në numër relativisht të vogël shprehën pakënaqësitë e tyre për siç po thonë ata “gjendjen e keqe të serbëve”.

Ata gjithashtu kundërshtuan hapjen eventuale të urës mbi lumin Ibër që e bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut për qarkullimin e automjeteve.

Në protestë e cila zgjati përafërsisht një orë u shpalosën pankarta me mbishkrime si “Nëse Kurti e hap urën, përgjegjës janë KFOR-i dhe QUINT-i” ose “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, ne po dëbohemi”.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pa incidente përfundon protesta e serbëve kundër hapjes së urës së Ibrit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore