Kosova

Policia e Kosovës shton prezencën në Veri, fillojnë patrullimin në këmbë


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar para pak ditësh edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bëri të ditur sot gjatë ditës se do ta shtojnë prezencën e tyre në komunat e banuara me shumicë serbe.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka siguruar se në aspektin operacional policor, “posedojnë kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend”.

“Ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës”.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit”, thuhet mestjerash në komunikatë.

Ndryshe, zgjedhjet për katër komunat veriore, janë caktuar për 18 dhe 25 dhjetor. Me 18 dhjetor ato për kryetarë komunash, ndërsa me 25 për Kuvendet Komunale.

Kjo situatë u krijua, pasi serbët e Kosovës, nën urdhrat e Listës Serbe, u tërhoqën nga institucionet në të gjitha nivelet, meqë kërkonin nga qeveria suspendimin e vendimit për masat për vozitësit me targa ilegale serbe.

Përfundimisht, vendimi u shty me ndërhyrjen e Brukselit, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Qeveria dhe presidenca nxituan me shpallje të zgjedhjeve, por siç u pa të martën e 6 dhjetorit, kapaciteti për të funksionuar në atë pjesë del të jetë jo i mjaftueshëm.

Të martën, policia bashkë me zyrtarët komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsej nga Veriu, pasi serbët nuk lejuan vendosjen e këtyre zyrtarëve në zyrat e KQZ në këtë pjesë të vendit.

Si rrjedhojë pati edhe të shtëna armësh e shpërthime, por akoma askush nuk është arrestuar dhe zyrtarët komunalë nuk kanë arritur të shkojnë në veri.

Në anën tjetër, përkundër kërkesave ndërkombëtarët për shtyrje zgjedhjesh, qeveria ka lëshuar një komunikatë për media ku deklarohet se “mbajtja e zgjedhjeve është obligim kushtetues”.

SHBA-të të shqetësuara: S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore