Lajme

Plani i Emirateve për takimin mes Zelensky-it dhe Putin-it


Presidenti i Emirateve, Mohammad bin Zayed (MBZ) po planifikon të organizojë një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky paralelisht konferencës së OKB-së (COP28) që do të mbahet në Dubai nga 30 nëntori 2023.

Kjo nismë vjen pas një kërkese të Papa Françeskut në koordinim me disa fuqi evropiane.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta libaneze “L’Orient-Le Jour”, duke cituar informacionet ekskluzive të marra nga diplomatë perëndimorë dhe arabë.

Dy diplomatë perëndimorë të cilët kërkuan anonimitet i thanë L’OLJ se shumë vende evropiane janë në kontakt me Abu Dhabi-n për të mbështetur këtë iniciativë.

“Emiratet e Bashkuara Arabe mund të përfitojnë nga pozicionimi i tyre gjeopolitik për të arritur një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës”, shpjegon një diplomat perëndimor.

Objektivi është të bihet dakord për hapjen e një dialogu që mund t’i japë fund luftës, sipas të njëjtit burim.

Ndërsa janë aleate me Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë.

MBZ-ja ka qenë atje dy herë që nga fillimi i ofensivës ruse në Ukrainë, në Moskë në tetor 2022 dhe në Shën Petersburg në qershor 2023.

Pas vizitës së tij të parë u zhvillua ideja e një nisme të përbashkët midis Vatikanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për promovimin e “paqes botërore” dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.

Papa Françesku e ka pritur me shumë entuziazëm këtë ide, veçanërisht pasi ai tashmë ka bashkëpunuar me Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë miratimit të “Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore” gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi në vitin 2019, gjë që e lejoi atë të zhvillonte një marrëdhënie të besueshme me MBZ-në”, thotë një burim pranë Vatikanit.

Në shkurt 2019, Papa Françesku u bë Papa i parë që shkeli në Gadishullin Arabik.

Ndonjëherë i kritikuar për refuzimin e tij për të dënuar pushtimin rus, Papa Françesku ka bërë thirrje për dialog midis dy palëve ndërluftuese prej muajsh.

Majin e kaluar, ai tregoi se Vatikani po merrte pjesë në një mision paqeje për t’i dhënë fund konfliktit, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Unë mendoj se paqja arrihet gjithmonë duke hapur kanale. Nuk mund të arrihet kurrë paqe përmes mbylljes”, shprehej ai asokohe.

Sipas informacioneve të botimit libanez, nisma e propozuar parashikon që Abu Dhabi të presë një konferencë për paqen botërore, e cila do të nisë nga një vizitë e re e Papa Françeskut në kryeqytetin e Emirateve, paralelisht me mbajtjen e samitit COP28.

“Iniciativa e paqes është diskutuar me disa vende evropiane, si dhe me Shtetet e Bashkuara”, tha një diplomat evropian. “Presidenti amerikan Joe Biden e ka marrë parasysh dhe e ka mirëpritur, duke thënë se është i gatshëm të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për të arritur qëllimet e saj”.

Ndërsa Volodymyr Zelensky kohët e fundit tha se shpresonte që një samit i paqes të mbahej në vjeshtë, si ukrainasit ashtu edhe perëndimorët thonë se Rusia nuk do të ftohet në këtë samit.

Nga ana e Kiev-it, besohet se bisedimet e mundshme me Rusinë mund të zhvillohen vetëm pas rivendosjes së integritetit territorial të Ukrainës dhe tërheqjes së trupave ruse.

Qershorin e kaluar, Vladimir Putin tha se ishte “gati për një dialog konstruktiv” me ata që duan paqe. Por në front, luftimet vazhdojnë dhe secili nga dy palët ndërluftuese përpiqet të fitojë terren.

Në çdo rast, nisma e MBZ-së konfirmon rolin udhëheqës që Emiratet e Bashkuara Arabe synojnë të luajnë në marrëdhëniet ndërkombëtare, të simbolizuar nga organizimi i COP28.

Për shkak të shkathtësisë së saj diplomatike dhe aftësisë për të biseduar me të gjithë aktorët, Emiratet e Bashkuara Arabe duan të pozicionohen si një ndërmjetës kyç në skenën ndërkombëtare.

Marrë dhe përshtatur nga “L’Orient-Le Jour” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore