Film

“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post


Nga vrapi në vrap, asaj i ndryshon çehrja. Zbehet.

Nga e qeshura e kithët e lojërave të pushtetit te buzët e mpira si të ishin pa jetë, portretin nis t’ia përshkojë një nerv i pacak.

Nga majat në të rënën e shpejtë, sytë e saj rrëfejnë ndryshe. Tregojnë për dy jetë të saj, të dyja të shkëputura pjesë-pjesë nga arroganca.

Por në secilin hap e në çdo dukje, mbetet nënë. Një nënë, e cila pranon edhe kompromisin më të hidhur për ‘të shpëtuar’ të birin.

“Një grua ndryshe e pasqyruar në kinemanë shqiptare: e fortë, e pushtetshme, pjesë e sistemit, të cilës krejt papritur i kthehet çdo gjë mbi vete dhe duhet të bëjë zgjedhje të vështira”, sipas skenaristes Ajola Daja.

“Përgjithësisht, e kemi parë gruan të viktimizuar në ekran dhe kjo qasje ndryshe, për të kuptuar një botë tjetër që ndoshta nga jashtë e paragjykojmë…është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë patriakale që të flasim për gratë në të gjitha dimensionet e tyre”, ka shtuar Daja, në një intervistë për Albanian Post.

Kjo grua është Aida, të cilës i ‘thyhet’ boshti i karriges në të cilën ulej, kur i biri – Marku – përfshihet në një akuzë të rëndë: përdhunimin e bashkëmoshatares së tij.

Një grua, e cila e ka zhytur edhe vetë skenaristen Daja në skuta, të cilat “duheshin çelur për të kuptuar më mirë natyrën tonë, si dhe për të reflektuar mbi prioritetet e vërteta në jetë”.

Gjithçka errësohet e zbardhet krejt papritur dhe Aida gjendet në ballë të valëve të jetës, ashtu sikurse valët që krijohen nga varkat në liqenin e Pogradecit, aty ku është edhe e vendosur ngjarja e filmit “Pikë Uji”, përfaqësues i Shqipërisë, në kategorinë International Feature Film, në edicionin e 97-të të Çmimeve OSCAR.

Historia e filmit – sipas skenaristes Ajola Daja – të trondit për vetë natyrën e saj. Por edhe për momentin shoqëror që po jetojmë. Një tronditja që ka ndikuar edhe në procesin e shkrimit, pasi siç ka thënë edhe vet Ajola Daja, “vështirë të shkruash për diçka, e cila nuk të trondit apo të tund themelet”.

“Familja duhet të kthejë sytë nga vetja, për të parë thellësisht brenda saj e më pas për të kërkuar dhe pretenduar mbi vazhdimësinë e fëmijëve”, dallon ajo.

Shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha e Ajola Daja, pyetja që ngrihet në qendër të filmit është se sa larg do të shkojë Aida për të mbrojtur të birin – një thriller emocionues që zbulon çmimin e pushtetit dhe dashurisë prindërore.

Në qasjen e skenaristes Daja, në kohët tona, kemi ndryshuar prioritetet, duke lënë pas dhe në hije gjërat me të rëndësishme dhe thelbësore në jetë: njeriun, fëmijën.

“Rendja jonë e pandërprerë drejt komoditetit, si një iluzion që na ofrohet besoj se është një alarm i madh për shoqërinë. Kur ky realitet na përplaset, sigurisht që nëna do të bëjë të pamundurën për të shpëtuar atë që ka mbetur nga fëmija e saj me çdo kusht”, është shprehur ajo për Albanian Post.

Sipas saj, filmi e ka treguar shumë qartë që nuk ka pushtet më të madh se fëmija për një nënë. “Aida ka shkuar deri në atë pikë sa është e vështirë të kthehet pas”.

Problemi me shoqërinë tonë qëndron në faktin se nuk ka limite morale dhe njerëzore deri ku është mjaft. Dhe sërish Aida kërkon që ta përdorë pushtetin e saj, atë pushtet që ajo mendon se ka deri në fund për të dalë në sipërfaqe”, ravijëzon skenaristja Daja.

Nga ana tjetër, filmi është lënë me fund të hapur, pasi “nuk kërkon të mbajë qëndrim dhe nuk kërkon të moralizojë”.

Për skenaristen Daja, “Pikë Uji” sjell një pasqyrë, pa dashur të mbajë qëndrim.

Pasi, përballet me të vërteta.

Intervista e plotë e Albanian Post me Ajola Daja:

Albanian Post: Rrëfimi i filmit është afër historive që për shumicën e shqiptarëve janë ‘familjare’, të dëgjuara apo përjetuara. Por jo personazhi kryesor (në kuptimin që, shpesh histori të ngjashme iu atribuohen aktorëve meshkuj). Pse kjo zgjedhje?

Ajola Daja: Ju falënderoj për pyetjen. Kjo ka qenë një histori, të cilën ma ka propozuar Sabina Kodra, producentja e filmit. Robert Budina kishte kohë që kishte nisur punën me këtë rrëfim. Kur e lexova, duke menduar se ku mund te shkonte historia, pranova menjëherë. Për shumë arsye: e para personazhi kryesor do te ishte një grua, dhe jo vetëm, por një grua ndryshe e pasqyruar në kinemanë shqiptare; e fortë, e pushtetshme, pjesë e sistemit të cilës krejt papritur i kthehet çdo gjë mbi vete dhe duhet të bëjë zgjedhje dhe zgjidhje të vështira.

Kur kam nisur punën me këtë skenar, isha në fillim të shtatzënisë dhe më pas nënë e re dhe mesa duket e kisha dhe vetë të domosdoshme të flisja për një personazh grua, si dhe në filmat e tjerë të mi.

Përgjithësisht e kemi parë gruan të viktimizuar në ekran dhe kjo qasje ndryshe, për të kuptuar një botë tjetër që ndoshta nga jashtë e paragjykojmë, më frymëzoi për këtë punë. Dhe mendoj se është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë patriakale që të flasim për gratë në të gjitha dimensionet e tyre, duke sjellë në vëmendje të gjitha vendimet e vështira që ato duhet të marrin në jetë edhe kur janë në pushtet, dhe dukshëm të “paprekura”.

Albanian Post: Ndërkohë, problemi (ndaj të cilit Aida kërkon me ngulm t’i japë fund) është tejet aktual. Në redaksi e ndjejmë edhe më shumë këtë fenomen të shoqërisë nga shpeshtia e lajmeve të kronikës, ku viktima janë vajza dhe gra, të cilat abuzohen, përdhunohen e vriten nga anëtarë të familjes apo rrethit shoqëror, e jashtë tij. E ku mënyra se si u jepet zgjidhje nga ana juridike mbetet e paqartë edhe pse opinioni publik e hamendëson lehtësisht. Çfarë është parë ‘pikante’ në këtë problem të zgjedhur? Natyra që e rrethon, lidhja me aktualitetin shqiptar, një ‘alarm’ për momentin shoqëror ku po jetojmë, apo ka faktorë të tjerë që kanë ndikuar në zgjedhje?

Aida Daja: Në të shumtën e rasteve, në procesin e shkrimit autorin e frymëzon diçka nga realiteti, të cilin ai nuk e pranon apo e shqetëson. Unë gjithnjë kam menduar se sado profesion të jetë shkrimi i një skenari, është e vështirë të shkruash për diçka, e cila nuk të trondit apo të tund themelet, duhet të të zgjojë.

Historia të trondit për vetë natyrën e saj si dhe për momentin shoqëror që po jetojmë. Gjithashtu mendoj se familja, jo vetëm që është baza e një shoqërie, por nëse duhet të flasim për fëmijët duhet patjetër të analizojmë gjenezën familjare; është determinuese dhe shteruese.

Në këtë sens, familja duhet të kthejë sytë nga vetja, për të parë thellësisht brenda saj e më pas për të kërkuar dhe pretenduar mbi vazhdimësinë e fëmijëve.

Mendoj se me kohën ‘moderne’ që po kalojmë, kemi ndryshuar prioritetet duke lënë pas dhe në hije gjërat me të rëndësishme dhe thelbësore në jetë: njeriun, fëmijën.

Rendja jonë e pandërprerë drejt komoditetit, si një iluzion që na ofrohet besoj se është një alarm i madh për shoqërinë. Kur ky realitet na përplaset, sigurisht që nëna do të bëjë të pamundurën për të shpëtuar atë që ka mbetur nga fëmija e saj me çdo kusht. Unë e kam parë kështu.

Albanian Post: Për të mbërritur pastaj te pushteti. Dhe te shfrytëzimi i tij sikur të ishte një e dhënë hyjnore dhe e paprekshme. Në këtë pikë, ngrihen njëherazi edhe shumë dilema që në thelb janë edhe filozofike – se në ‘lojë’ është i biri. Dhe një nënë – shqiptare – bën edhe përtej mundësive për fëmijën e vet. Por deri ku ka shkuar Aida? Dhe çfarë kërkon të tregojë filmi me këtë?

Ajola Daja: Besoj se filmi e ka treguar shumë qartë që nuk ka pushtet më të madh se fëmija për një nënë. Aida ka shkuar deri në atë pikë sa është e vështirë të kthehet pas.

Pushteti është një forcë që të rrëmben dhe në të shumtën e rasteve të zhyt dhe të tërheq poshtë; në shumë raste deri në fatalitet sepse është vetë në natyrën e njeriut dëshira për pushtet.

Problemi me shoqërinë tonë qëndron në faktin se nuk ka limite morale dhe njerëzore deri ku është mjaft. Dhe sërish Aida kërkon që ta përdorë pushtetin e saj, atë pushtet që ajo mendon se ka deri në fund për të dalë në sipërfaqe.

Filmi përmban disa nënshtresa dhe subplote, ashtu si vetë jeta jonë duke sjellë një pasqyrë pa dashur të mbajë qëndrim.

Albanian Post: Zgjedhje për t’u përmendur është edhe fundi i hapur, mbyllja i është lënë në dorë shikuesit. Kjo është bërë për t’ju shmangur një përcaktimi që ndoshta mund të binte ndesh me pritshmëritë e shikuesit (i cili rrjedhimisht përfshihet emocionalisht dhe bëhet pjesë e botës së personazheve) apo thjesht për të mos thënë fjalën e fundit?

Ajola Daja: Mbi këtë çështje ne kemi diskutuar shumë. Filmi nuk kërkon të mbajë qëndrim dhe nuk kërkon të moralizojë. Vetë regjisori e ka treguar vizionin e tij në të gjithë mënyrën se si është pasqyruar filmi.

Është e pritshme që shikuesi të kërkojë një zgjidhje pozitive apo triumfuese në fund të një filmi, si një mënyrë për të ngushëlluar vetveten.

Por ky film të përballet me të vërteta. Sa mundësi ka një grua, në të tilla rrethana në shoqërinë tonë të bëjë revolucion apo të dalë nga kjo histori? Kjo do te binte ndesh me fuqinë dhe vërtetësinë që historia ka në vetvete. Dhe kjo është një e vërtetë që dhemb për të cilën duhet të reflektojmë. Dhe filmi ka pikërisht këtë qëllim.

Albanian Post: Në mbyllje, por edhe për ta plotësuar tablonë, çfarë ka marrë “Pikë Uji” nga ju vetë? E çfarë ju ka dhënë pas?

Ajola Daja: Si fillim “Pike Uji” ka marrë nga unë të gjitha pikat e energjisë për 2 vite që është punuar, të cilat i kam dhënë me kënaqësi.

Aida më ka zhytur në skuta, të cilat duheshin çelur për të kuptuar më mirë natyrën tonë, si dhe për të reflektuar mbi prioritetet e vërteta në jetë.

Unë kam ecur me Aidën në një jetë, të cilën nuk do të mund ta kisha provuar ndryshe dhe në fund jam me fat që dola prej saj.

“Pike Uji”-it i kam dhënë frymë dhe dashuri, si dhe një film të mirë që uroj të na prezantojë denjësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore