Kosova

Petkoviçi i ankohet Lajçakut për aksionin policor në veri: Kosova shkeli drejtpërdrejt autoritetin e BE-së


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pas aksionit të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe, kërkoi nga Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, t’u raportojë vendeve anëtare të BE-së për “veprimet destabilizuese” të Kosovës.

Në një letër drejtuar Lajçakut pas aksionit policor që rezultoi me mbylljen e gjashtë filialeve të “Bankës Kursimore të Postës” të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, ai pretendoi se autoritetet kosovare “shkelën në mënyrë të drejtpërdrejtë” autoritetin e BE-së, duke “nëpërkëmbur” procesin e dialogut dhe refuzuar propozimet për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e dinarit.

Gjithashtu, në letrën e Petkoviçit drejtuar Lajçakut, ashtu sikurse raportoi agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” gjatë ditës, kërkohet që BE-ja të veprojë në mënyrë që “aksionet e dhunshme” të mos përsëriten. Petkoviçi kërkoi ndër të tjera që Kosova të përcaktohet “faktor destabilizues” në kontekstin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

Ndryshe, bashkësia e organizuar ndërkombëtare u shpreh e shqetësuar për mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke vlerësuar se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë t’i përshkallëzojnë tensionet ekzistuese. Madje, mbyllja e këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, deklaroi BE-ja të martën, cenon frymën e dialogut.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë, kur përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe monedha serbe nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë javët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore