Film

Pesë yje për ‘No Time To Die’


“No Time To Die”, filmi i ri i James Bond, është pritur me vlerësime të mira dhe është konsideruar si një “fund i përshtatshëm” për kohën e Daniel Craig si 007-a.

Rrjeti televiziv britanik “ITV” tregon se filmi pritet të dalë në publik më 30 shtator, pasi u shty tri herë për shkak të pandemisë.

Britanikja “The Times” i ka dhënë pesë yje këtij realizimi të fundit.

Recensenti Kevin Maher ka thënë se “No Time To Die” është “madhështor”.

Duke shkruar në “Daily Telegraph”, Robbie Collin gjithashtu i dha filmit të shumëpritur një përmbledhje të ndritshme me pesë yje.

Ai ka vlerësuar “prologun emocional dhe emocionues”.

“Gjendja shpirtërore është shpesh më afër fragmenteve më të mira të filmave të Connery dhe humori ndihet bashkëkohor dhe britanik: lustrimi i skenarit nga Phoebe Waller-Bridge, me sa duket, dha rezultatin e dëshiruar”, ka thënë Collin.

Një tjetër vlerësim me pesë yje ka ardhur nga Peter Bradshaw i “The Guardian”.

Dalja përfundimtare e Craig si Bond është një “stuhi epike”, ka ravijëzuar recensenti, me regjisorin Cary Joji Fukunaga që e shpërfaq filmin “me një stil të frikshëm”.

Madje, Bradshaw e ka krahasuar atë me filmat me superhero të Marvel dhe DC.

Për të, filmi “është befasues, ekzotikisht i vetëdijshëm për veten, me humor dhe ndoshta mbi të gjitha është i madh: aksion i madh, të qeshura të mëdha, marifete të mëdha dhe sado i çuditshëm të jetë e i pakuptimtë, ‘No Time To Die’ duket sikur po ndodh në botën reale, një hapësirë ​​e madhe e hapur që ne të gjithë e dëshirojmë”, ka shtuar ai.

Kurse Dulcie Pearce e “The Sun” i ka dhënë filmit veç katër yje.

Ajo ka thënë se Craig “del nga ekskluziviteti me zhurmë”, duke rezervuar lëvdata të veçanta për marifetet “thjesht spektakolare”.

Katër i dha edhe revista “Empire”.

“Shpesh nuk duket aspak si një film i Bond-it. Për një 007, që u përpoq të sillte njerëzimin në heroin më të madh se jeta, është një fund i përshtatshëm për epokën e Craig”, ka thënë recensenti John Nugent,

Pastaj, Clarisse Loughrey nga “The Independent” i dha filmit tre yje nga pesë.

Ajo ka dalluar se “çka është më zhgënjyese në film është se sa e pakëndshme është e gjithë kjo gjë”.

Megjithatë, ka shtuar se performanca e Craig ishte një fund i përshtatshëm.

“Ai është brilant në ‘No Time To Die’, në një mënyrë që tejkalon gjithçka rreth tij. Karakteristikat e tij të gdhendura në granit dalin gjithmonë në momentin e duhur. Bond-i përfshin një oqean emocionesh të goditura që përpiqen të arrijnë në sipërfaqe”, ka vijuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore