Kosova

Përkujtohet profesor Fehmi Agani në 22 vjetorin e vrasjes nga forcat serbe


Në kujtim të figurës dhe veprës së profesor Fehmi Aganit, homazhe tek varri i tij kanë bërë Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Agani ishte njeri që u angazhua për liri të popullit shqiptar.

“Ishte njeri që gjithmonë dinte t’i bënte të gjithë bashkë në kohën më sfiduese, ishte krahu i djathtë i Rugovës, punoj që sakrifica e popullit të Kosovës për liri të dëgjohej edhe përtej kufijve. I përjetshëm qoftë kujtimi për të, ndërkaq sikurse edhe për të gjithë ata të cilëve u morën jetën serbët, kërkojmë drejtësi”, theksoi ajo.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duke bërë homazhe para varrit të akademik Fehmi Agani

Kryeministri Kurti, profesor Aganin e kujton si njeri paqësor.

“Si profesor, akademik dhe intelektual, Fehmi Agani kishte formim të thellë social dhe të lartë humanist, ndërkaq si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ai ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi”, ka deklaruar ai.

Akademiku Fehmi Agani e ka kujtuar edhe ish kryeministri Avdullah Hoti.

“Sot kujtojmë Akademik Fehmi Aganin, profesorin, filozofin dhe veprimtarin politik të jashtëzakonshëm, i cili me filozofinë unike të veprimit politik ka lënë gjurmë në historinë e organizimit të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Hoti në rrjetin e tij social facebook.

Akademik Fehmi Agani u vra nga forcat serbe me 6 maj të vitit 1999, në tentativën për të ikur nga Kosova së bashku me familjen e tij.

Fehmi Agani bashkë me familjen e tij kishte hipur në tren, për të ikur në Maqedoni. Në kufi ky tren ishte kthyer mbrapsht dhe në afërsi të Fushë Kosovës të gjithë pasagjerët ishin zbritur me dhunë nga forcat serbe. Profesor Aganin e marrin. Një ditë më vonë trupi i tij ishte gjetur në një rrugë të baltosur afër qytetit të Lipianit.

Po ashtu, homazhe tek varri i akademik Aganit ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku së bashku me bashkëpunëtor.

Aktivitetin dhe kontributin e profesor Aganit për liri e pavarësi, Abdixhiku tha se vetëm me shuarje fizike kanë mundur ta bëjnë serbët.

“…nuk mund të ndalej nga armiku serb, pos me eliminimin e tij fizik, ashtu edhe siç ndodhi fatkeqësisht, kur u vra më 6 maj 1999 afër Lipjanit”.

Abdixhiku ka thënë se Agani ka qenë “truri i lëvizjes paqësore”.

Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor nga LDK duke bërë homazhe te varri i akademik Fehmi Agani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore