Përballje

Përcaktohet sot finalja e Kupës së Botës për Klube


Do të përcaktohet sot finalja e Kupës së Botës për Klube, në gjysmëfinalen e dytë që zhvillohet mes Al-Hilal dhe Chelsea.

Gjatë së martës, Palmeiras u bë skuadra e parë e cila arriti kualifikimin në finalen e Kupës së Botës për Klube.

Skuadra braziliane e mposhti me rezultat të pastër 2-0 skuadrën e Al-Ahly.

Edicioni i vitit 2021, që po mbahet në vitin 2022, është duke u zhvilluar në Abu Dhabi.

Sonte do të mësohet emri i dytë finalist, me kampionët e Evropës, Chelsea, që janë favoritë të mëdhenj të këtij takimi.

Blutë vijnë këtu për herë të dytë në historinë e klubit të tyre, dhe nga hera e parë nuk kanë fare kujtime të mira.

Në vitin 2012, blutë erdhën në finale, por aty u ndalën nga Corinthians.

Këtë herë, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel kërkon që të lë prapa dështim e dhjetë viteve më parë.

Pengesa e parë në rrugën e tyre, është skuadra nga Arabia Saudite, Al-Hilal.

Ndeshja fillon në orën 17:30, me takimin që mund t’iu drejtohet kohës shtesë, madje edhe penalltive, nëse pas 120 minutave nuk ka fitues.

Më herët, luhet edhe ndeshja për vendin e pestë, mes Monterrey dhe Al Jazira.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore