Spiropali kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe të mos cenohet identiteti shqiptar në RMV

SHFLETO

“Për identitet dhe dinjitet”, nis protesta e shqiptarëve në Preshevë

Shqiptarët në Preshevë protestojnë për herë të dytë
SHFLETO

Protesta e shqiptarëve në Preshevë

Altina Marmullaku
23.09.2024 13:25
Loading Icons...

Ka nisur protesta e shqiptarëve në Preshevë me moton “Për identitet dhe dinjitet”, e organizuar për herë të dytë brenda dy muajve.

Ata po protestojnë kundër shkeljeve të të drejtave të tyre nga Serbia, protestën e parë ata e kishin mbajtur më 12 gusht.

Në këtë protestë janë duke marrë pjesë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.

Diskriminimi sistematik, mohimi i të drejtave elementare si përdorimi i flamurit kombëtar, pasivizimi i adresave janë vetëm disa nga arsyet përse qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës e kanë organizuar këtë protestë.

“Nesër të gjithë bashkë protestojmë për Identitet dhe Dinjitet. Për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Për qytetarët e Komunës së Bujanocit, grumbullimi fillon nga 11:30 deri ora 12:00 tek qendra e qytetit, pastaj në mënyrë të organizuar nisemi për në Preshevë. Nga Medvegja nisja për Preshevë bëhet në ora 09:30, nga zyra e KKSH-së”, ka shkruar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se në këtë protestë do të kërkohet ndërprerja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punë dhe institucione të hapura për të gjithë.

Pas protestës së 12 gushtit, vetëm pas disa ditësh u shfaqën grafite anti-shqiptare si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi”, e të ngjashme.

Këto grafite u dënuan ashpër nga liderët politikë shqiptarë, të cilët kërkuan që autorët të mbahen përgjegjës. Nga ana tjetër, këto grafite nuk u dënuan fare nga autoritetet qendrore të Serbisë, çka bëri që të ketë akuza se të njëjtat janë nxitur nga vetë Beogradi zyrtar.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi, me më shumë se 61,000 qytetarë. Shumica e tyre janë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë dhe Bujanoc.