Shqipëria

Peleshi hap zyrtarisht bazën ajrore të Kuçovës: Strategjike për gjithë rajonin


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka quajtur të hapur zyrtarisht bazën ajrore të Kuçovës, e cila sipas tij do t’i shërbejë aleancës së NATO-s për qëllime operacionale dhe taktike.

Sipas Peleshit, ky është një privilegj i madh për Shqipërinë dhe një ndër investimet më të mëdha të NATO-s në vend.

Teksa, premtimi, mbetet ai se Shqipëria do të investojë në këtë bazë, për ta sjellë atë në nivelin bashkëkohor dhe vetë Kuçova do të shërbejë si bazë e forcave ajrore shqiptare.

Peleshi theksoi se ardhja e helikopterëve Black Hawk nga SHBA-të, apo e dronë Bayraktar nga Turqia, janë tregues se Shqipëria e ka marrë seriozisht angazhimin e saj në aleancë.

Po ashtu, edhe pozita gjeografike e Shqipërisë është me rëndësi në rajon.

Përtej kontekstit ushtarak gjithsesi, është edhe një kontekst tjetër për këtë bazë, me ndihmën që mund t’u ofrohet fqinjëve në fatkeqësitë natyrore apo nevojat e tjera.

Ndaj, kjo bazë e re është me rëndësi jo veç për Shqipërinë, por për gjithë rajonin.

“Ju falënderojmë (referuar NATO-s), për investimin serioz për t’i kthyer shkëlqimin e dikurshëm bazës së Kuçovës”, nënvizoi Peleshi. “Mirënjohje miqve turq, italianë dhe gjithë aleancës, për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë”.

Duke parë edhe konktestin e luftës në Ukrainë në vitet e fundit, baza për Peleshin merr edhe një kontekst gjeopolitik dhe ai premtoi po ashtu se Shqipëria do të jetë e gatshme të bëjë pjesën e saj të detyrave që do t’i kërkohen nga NATO.

Planet ndërkaq, sipas ministrit, janë konkrete edhe për një bazë detare në Porto Romano, e cila do të jetë një aset i shtuar në mbrojtjen e Shqipërisë dhe gjithë rajonit.

Baza e Kuçovës gati për inaugurim, me rëndësi kyçe në operacionet e NATO-s

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore