Shqipëria

PD për “Shtëpinë e Lirisë”: U zyrtarizua partia Meta-Berisha-Rama


“Më në fund Sali Berisha zyrtarizoi partinë e vjetër Meta-Berisha-Rama që simbolizon gjithçka që nuk shkon në Shqipëri”.

Ky është mesazhi që ka shpërndarë Partia Demokratike, pas zyrtarizimit të koalicionit mes Sali Berishës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Sipas akuzave nga demokratët, kandidati i Dibrës i dalë nga primaret e Komisionit të Rithemelimit, Premtim Kryemadhi, jo vetëm që është kushëri i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, por është edhe bashkëshort i një prokuroreje, e cila sipas pretendimeve nga PD-ja, nuk ka hetuar dosjen 184, për zgjedhjet në Dibër.

“Ky është një provokim i rëndë për çdo demokrat dibran, që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016-ën”, shkruhet në deklaratë.

Po ashtu, ky kandidim, shpjegon edhe komunikimin në privat të eksponentit të Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka, me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Kandidatin e koalicionit “Non-Grata” e kanë zgjedhur bashkërisht. Ulsi Manja, nëse bashkëshortja e kandidatit të Flamur Nokës në Dibër do të zbatonte ligjin dhe do hetonte dosjen 184, do ishte në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Drejtësisë”.

Kjo akuza ngrihet nga selia blu.

Teksa, demokratët, rreshtojnë edhe dy qëllime për koalicionin.

I pari, lidhet me dëmtimin e PD-së dhe demokratëve. I dyti, me krijimin e një strehe mbrojtëse për Ilir Metën dhe Sali Berishën.

“Ajo është streha për Ilirin dhe Saliun. Zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën. Zgjedh Berishën dhe Metën, dhe mban Ramën”, përmbyllet deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore