Kosova

Pasi e humbi KiE-në, Kurti dërgon draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese


Ilustrim: Albin Kurti

Pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si “absurd” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim dhe kështu e la Kosovën jashtë agjendës së seancës së Komitetit të Ministrave, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveria e Kosovës, të enjten, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Vetëm pak ditë pasi autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe se ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e KiE-së”, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në letrën që e ka dërguar më 15 maj Këshillit të Evropës, ka potencuar se në Kushtetuese do ta dërgojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë Qeveria dhe jo draft-statutin e Bashkimit Evropian, i cili iu prezantua palëve vitin e kaluar.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draft-statut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres.

Marrë për bazë këtë hap konkretë Gërvalla në letër ka potencuar se “presim që Komiteti i Ministrave të ketë arsye shtesë ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Këtë manovër politike të Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit, analisti politik, Agon Maliqi e ka cilësuar si një tallje me aleatët perëndimorë.

“I patëm 2 e më shumë vjet si shtet për ta dërguar draftin tonë maksimalist të asociacionit. Tash kur efektivisht u mbyll hapësira e dialogut dhe u humb mundësia për t’u bërë diçka më serioze gjatë administratës Biden, madje edhe u mbyll dera për Këshill të Evropës sivjet, qeveria del me një manovër se ‘do ta dërgojmë draftin e bazuar në FES deri me 31 maj’. Kjo do të trajtohet nga aleatët si tallje me ta”, ka shkruar Maliqi në platformën sociale, Facebook.

Në anën tjetër ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës e ka cilësuar si gabim kardinal.

“Dërgimi i letrës në KiE në momentet e fundit para votimit tregon joseriozitet në përcaktimin se Kosova nuk mund të defunksionalizohet me Asociacion. Thellon mosbesimin e shteteve aleate për bashkëveprim ndërkombëtar me Kosovën. I hapë rrugë kushtëzimit edhe më të rëndë të Kosovës nga Serbia”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Albanian Post javë më parë kishte raportuar se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kusht për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Menjëherë më pas Gjermania dhe Franca kërkuan publikisht që Kosova të bëjë hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese për shqyrtim – në rast se dëshiron anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kjo kërkesë u injorua nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draft-statuti i Asocaicionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në KiE.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, kishte thënë Kurti.

Sipas tij Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore