Kosova

Pas 6 orësh shqyrtim, Vetëvendosje vendos ta përjashtojë Mujecin


Ilustrim

Albanian Post të martën rreth orës 11:00 për herë të parë publikoj lajmin se asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është arrestuar në Shqipëri pasi është zënë duke transportuar dhe shitur lëndë narkotike nga Kosova për në Shqipëri, por vetëm pas 6 orësh Lëvizja Vetëvendosje ka dalur me një qëndrim duke njoftuar përjashtimin e tij nga partia.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë të ditur se Komisioni Disiplinor i LVV-së pas trajtimit të rastit të anëtarit të saj ka përjashtuar nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin.

“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asamblistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Disiplinor i LVV-së menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Rama.

Sipas tij LVV-ja mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme janë absolutisht të patolerushme dhe do të luftohen e ndëshkohen.

Besnik Mujeci u arrestua të hënën në Tiranë nën dyshimet për trafikim droge.

Mujeci ishte në mesin e pesë të arrestuarve në Tiranë nën dyshimin për trafikim droge. Sipas Policisë, ky grup u kap me mbi 11 mijë doza droge, në vlerë prej 400 mijë eurosh.

Largimin e Mujecit nga të gjitha strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje e ka njoftuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci, sipas Haxhiut, janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet të marrin vendim të merituar.

“Njerëz të tillë nuk kanë vend në Lëvizje”.

11 mijë doza ekstazi, 400 mijë euro vlerë – Si u arrestua asamblisti i Vetëvendosje në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore