Kosova

Paga 7 mijë e 500 euro, Gërvalla: Shumë modeste për një personalitet të rëndësishëm kulturor


Donika Gërvalla

Paga prej 7 mijë e 500 euro që Ministria e Punëve të Jashtme ia jep në muaj artistit Gani Jakupi është një shumë modeste ka thënë Ministrja, Donika Gërvalla, kur ka raportuar në komisionin parlamentar për punë të jashtme.

“Nuk është pagë mujore, është shuma e cila përfshinë shpenzimet e një projekti të tërë njëvjeçar dhe e cila është një shumë modeste krahasuar me shumat që janë paguar për lobim në Afrikë dhe në shtetet e tjera”, shpjegoi ajo.

Ajo është shprehur krenare që dikasteri të cilën ajo e drejton me një shumë kaq modeste ka angazhuar një personalitet të shquar kulturor.

“Po e përsërisë kjo nuk është pagë është një shumë i një projekt i lidhur me objektiva të qarta të përcaktuara saktë, i cili i shërben Republikës së Kosovës dhe vendosjes së saj nëpër vende jo-njohëse kryesisht”, potencoi ajo. 

Jakupi, sipas Gërvallës, është angazhuar në kuadër të diplomacisë kulturore dhe në kuadër të projekteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të krijuar, siç tha ajo, “një ambient tjetër në vendet jo-njohëse”.

“Si ministre shfrytëzoj të gjitha instrumentet natyrisht duke kursyer buxhetin e shtetit, sepse lehtë është të angazhosh një kompani që kushton 4 milionë euro, por vështirë është të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike”.

Gërvalla ka tentuar të amortizojë këtë shumë duke thënë se Qeveritë e mëparshme kanë paguar edhe 50fishë më shtrenjtë për shërbime të njëjta.

“Sa i përket pagës prej 7 mijë e 500 euro, pikërisht partia që ju përfaqësoni ka paguar 50 fishin. Me PDK-në hezitoj që të diskutoj për financa, unë ju dëgjova sepse ju e shfrytëzon mikrofoni vetëm për të bërë gënjeshtra. Kjo nuk është pagë, është një projekt i lidhur me objektiva të qarta”, ka theksuar ajo.

Mediumi Periskopi, ditë më parë, kishte raportuar se 7 mijë e 500 euro është paga me të cilën Gani Jakupi paguhet nga Qeveria e Kosovës për pozitën këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Periskopi raportoi se Jakupi jeton në Spanjë, por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike.

Gërvalla e ambasadori Bajrami angazhojnë këshilltar me rrogë 7 mijë e 500 euro në muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore