Kosova

Osmani: Të gjithë hapat e Kosovës në fushën e sigurisë duhet të jenë në koordinim me SHBA-të


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që Kosova çdo hap në fushën e sigurisë ta bëj në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kjo për shkak se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti vazhdimisht është kritikuar për moskoordinim të vendimeve që ka marrë me SHBA-të.

Osmani, ka theksuar se ashtu siç e rrezikojnë jetën pjesëtarë të Policisë së Kosovës për ta mbrojtur territorin, ngjashëm e rrezikojnë edhe ata të KFOR-it.

“Kosova duhet që të githë hapat në fushën e sigurisë t’i marrë në koordinim me SHBA-të. Ashtu siç e rrezikojnë jetën policët e Kosovës, e rrezikojnë jetën edhe ushtaret amerikanë edhe ata italianë e turkë, e po ashtu edhe të tjerë që janë në kuadër të KFOR-it”.

Në takimet e saj, ajo ka thënë se me krerët e shteteve të ndryshëm ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

“Kemi diskutuar në këto takime për situatën e sigurisë për rreziqet e vazhdueshme që krijohen nga ana e Serbisë dhe është me rëndësi që ne e kemi përkushtimin e plotë të SHBA-ve”.

“Secili prej tyre e kupton shumë mirë se sa e rrezikshme është nëse eskalon situata sërish përmes sulmeve serbe dhe janë duke bërë çmos që të parandalohet një gjë e tillë, jo vetëm përmes trupave amerikan por po ashtu përmes mesazheve të qarta politike”, ka thënë Osmani në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjinit.

Meqë Kosova për herë të parë mori pjesë në aktivitetet e Samit të NATO-s, Osmani tha se kjo u arrit falë punës së afërm që është realizuar mes SHBA-ve dhe institucionit të presidencës.

“Është e mundur kur punon afër me aleatin strategjik Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe presidenca e Republikës, e ka bërë këtë duke e kuptuar se sukseset e Kosovës janë shumë më afër të ndërlidhura me SHBA-të”.

“Në historinë tonë të re sidomos këto 25 vjet asnjë sukses nuk është bërë pa pasur një angazhim substancial të SHBA-ve. Në momentin që punon shumë afër, kur ata të shohin si partner të rëndësishëm, kur ata të shohin se mund të japesh kontribut në fusha të ndryshme, atëherë ata jo vetëm që e fton presidenten në Samitin e NATO-së por edhe i japin jehonë suksesit të Kosovës”.

Veprimet e ndërmarra nga Kosova siç janë ndalimi i dinarit, aksionet policore në Veri, janë kritikuar vazhdimisht nga SHBA-ja dhe partnerët ndërkombëtarë pasi që janë vlerësuar si të pakonsultuara dhe të pa koordinuara me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore