Kosova

Osmani takon Sekretarin e ri britanik: Të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet


David Lammy dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në margjinat e Samitit të NATO-s, ka njoftuar se e ka takuar edhe Sekretarin e ri të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, David Lammy.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleat i palëkundur i Kosovës dhe unë pres që të punojmë së bashku për të forcuar më tej lidhjet tona”, ka shkruar ajo në platformën sociale, X.

Ndërkohë Osmani, në margjinat e Samitit të NATO-s, takoi edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale në Facebook, Osmani, njoftoi se gjatë një bashkëbisedimi me Macron është trajtuar “e ardhmja euroatlantike e Kosovës”.

“Diskutim përmbajtësor me Presidentin Macron në Samitin e NATO-s në Washington D.C lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës”.

Osmani përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO, me ftesë të presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku m ç’rast në përfundim të samitit, ka pasur rastin ta takoi Biden, “të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës”.

Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.

“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar Osmani.

Ndryshe Franca, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, bllokuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Shtetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian kërkuan nga Kosova dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, gjë që u refuzua nga ekzekutivi kosovar me arsyetimin se “kërkesa ishte absurde”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore